Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, zhvilloi një fjalim me akuza të ashpra ndaj qeverisë gjatë seancës parlamentare.
Ai deklaroi se Shqipëria është bërë e pajetueshme dhe se qytetarëve u është nxirë jeta, duke e akuzuar qeverinë për mungesë sigurie, empatie, vjedhje dhe plaçkitje. Sipas Nokës, qeveria përfaqëson mallkimin e këtij vendi.
Të lidhura
None found
Deputeti demokrat tha gjithashtu se “Xhabaftët” kanë sjellë ministra në parlament dhe kërkoi shpërndarjen e këtij institucioni. Ai pretendoi se mazhoranca përfaqëson krimin e organizuar dhe kusarët, ndaj, sipas tij, ka frikë nga qytetarët.
Noka iu drejtua edhe ministres së re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duke e paralajmëruar se pranimi i postit mund ta ekspozojë ndaj përgjegjësisë penale për aferat që mund të firmosë.
“Edi Rama është terrorist dhe ka futur njerëz në burg për mospagim të dritave”, u shpreh Noka, duke shtuar se vendi është kthyer në “tokë të djegur”. Ai akuzoi deputetët e mazhorancës se hyjnë në parlament si “minj nëpër vrima” dhe pyeti se kujt i tremben, qytetarëve apo atyre që ndodhen jashtë sallës.
Në përfundim, Flamur Noka tha se besa e qeverisë u është dhënë investitorëve strategjikë dhe jo shqiptarëve. Drejtuar Klodiana Spahiut, ai përsëriti paralajmërimin se ulja në karrigen ministrore mund t’i rrezikojë kokën.
