Porti i Portsmouthit në Angli u përfshi nga protesta të dhunshme, pasi grupe të së djathtës ekstreme bllokuan rrugët dhe tentuan të ndalonin transferimin e 140 emigrantëve drejt një qendre pritjeje.
Të lidhura
None found
Varka, e cila ishte nisur disa orë më herët nga brigjet e Normandisë, u shoqërua fillimisht nga roja bregdetare franceze. Më pas, autoritetet britanike e morën në dorëzim mjetin lundrues në ujërat territoriale të Britanisë së Madhe.
Protestuesit, të veshur me të zeza, me kapuça dhe fytyra të mbuluara, u lidhën nga media italiane me qarqe të së djathtës ekstreme jashtëparlamentare. Policia, e pajisur me mburoja dhe spraj me piper, ndërhyri për të shpërndarë turmën, ndërsa nuk pati arrestime.
Ngjarjet në Portsmouth pasuan mobilizimin e së dielës në Dover, ku të paktën 500 persona bllokuan për disa orë qarkullimin në portin që lidh Britaninë e Madhe me Europën. Protestuesit thërrisnin “Ndaloni varkat!”, në referencë të emigrantëve që mbërrijnë përmes Kanalit të La Manshit. Policia e monitoroi situatën, por nuk ndërhyri, ndërsa bllokada shkaktoi vështirësi të mëdha për udhëtarët.
Qeveria britanike e dënoi këtë sjellje, duke e cilësuar si “huliganizëm”. Ajo theksoi se protesta paqësore është një e drejtë themelore në demokraci, por nuk duhet të përfundojë në trazira. Zëvendësministrja e Thesarit, Emma Reynolds, tha se qytetarët kanë “shqetësime legjitime për emigracionin”, por nënvizoi se këto shqetësime nuk mund të shprehen në mënyrë kërcënuese.
Një qëndrim tjetër mbajti Reform UK e Nigel Farage. Kreu i partisë, Lee Anderson, deklaroi se nuk është e papritur që njerëzit të dalin në rrugë për të shprehur zemërimin ndaj personave që, sipas tij, “nuk kanë asnjë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend”.
Pas protestave të fundjavës besohet se qëndron Danny Thomas, i njohur si “Danny Tommo”. Aktivisti kundër emigracionit është i lidhur me Tommy Robinson, të cilin media italiane e përshkruan si udhëheqës neofashist.
Gjatë kësaj vere, Thomas krijoi “Platformën e Patriotëve” dhe bëri thirrje për “rezistencë masive”. Ndërkohë, grupet më radikale po i koordinojnë gjithnjë e më shumë lëvizjet e tyre përmes rrjeteve sociale.
