Zgjidhet nga tifozët e Malagës, Bare lojtari më i mirë e sezonit

Keidi Bare po bëhet gati t’i japë lamtumirën skuadrës së Malagës, pasi për të nuk mungon interesimi i klubeve të tjera.

Por mesfushori shqiptar do të lërë një kujtim shumë të mirë në radhët e këtij klubi, pasi edhe vetë tifozët e cilësojnë si yllin e skuadrës në edicionin e fundit.

Me një votim në rrjetet sociale, grupimi i ultrasve “Pena Malaguista Los Lunes”, ka përzgjedhur Baren si futbollistin më të spikatur të këtij sezoni për Malagën, e cila ia doli të mbijetonte mes telasheve të mëdha financiare.

Një vlerësim i madh për futbollistin duke llogaritur se mes atyre të nderuar me këtë çmim janë emra të njohur që kanë luajtur me këtë skuadër si Ramirez, Amrabat, Kamaço, Kabajero apo Tulalan.

Për Baren kjo ishte mënyra e duhur për t’u përshëndetur me ndjekësit më të zjarrtë të Malagës, të cilët mund ta shohin vitin tjetër si rival të tyre nëse ai pranon ofertën e Espanjol që do të luajë në La Liga 2 në sezonin tjetër.


Shtuar 6.08.2020 20:20