Shqipëria përgatitet për dy përballje vendimtare në Ligën e Kombeve, ku do të ndeshet me Finlandën dhe Bjellorusinë. Këto sfida kanë rëndësi të veçantë për kuqezinjtë, të cilët synojnë vendin e parë dhe kërkojnë të rrisin shpresat për një pozicion në kualifikueset e Europianit 2028.
Përbërja e grumbulluar nga trajneri Rolando Maran nxjerr në pah dy elementë që duken në kundërshtim me njëri-tjetrin. Në një kompeticion të tillë, përvoja është e domosdoshme për të përballuar nivelin e ndeshjeve dhe përgjegjësitë e tyre. Nga ana tjetër, mosha mesatare e skuadrës mbetet një çështje që hap diskutime.
Të lidhura
None found
Sipas një vlerësimi të “Albanien Fussball”, Shqipëria është kombëtarja e dytë më e vjetër në Evropë për takimet e ardhshme ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë. Mosha mesatare e kuqezinjve është 28.1 vjeç. Maran ka synuar të ndërthurë lojtarët me eksperiencë, të aftë të mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha, me elementët e rinj që shërbejnë si hallkë lidhëse në funksionimin e të gjithë ekipit.
Kjo moshë mesatare tregon se Kombëtarja ka nevojë të afrojë edhe më shumë futbollistë të rinj. Trajneri italian ka bërë hapa në këtë drejtim, duke përfshirë në listë Samuele Sina, 19 vjeç, Feta Fetai, 21 vjeç, dhe Luis Hasa, 22 vjeç. Në të njëjtën linjë është edhe grumbullimi i lojtarëve të Superiores, Klevi Qefalija, 22 vjeç, dhe Ysni Ismailit, 24 vjeç, çka tregon se Maran u ka dhënë mundësi talenteve të reja të provojnë veten dhe të debutojnë.
Megjithatë, ky hap nuk konsiderohet i mjaftueshëm përballë nevojave të së tashmes dhe së ardhmes. Enis Rexhepi, Dion Kacurri, Brajan Gruda, Arda Kurtulan, Adri Mehmeti, si edhe shumë futbollistë të tjerë të rinj të monitoruar prej kohësh nga Federata, zgjodhën në fund një drejtim tjetër. Kjo situatë mund të kthehet në një shqetësim serioz për perspektivën dhe brezat e ardhshëm të Kombëtares shqiptare.






