Refuzoi largimin, Napoli po përgatit një suprizë të “hidhur” për Milik

Duhet të ishte një nga protagonistët e mëdhenj të merkatos, por Arkadiusz Milik ka vendosur të qëndrojë edhe një vit te Napoli, për t’u larguar verën e ardhshme si lojtar i lirë. Polaku madje iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, që duhet t’i kishin paraprirë nënshkrimit me Romën, por, çuditërisht, nuk gjeti gjuhën me presidentin De Laurentiis.

Emri i tij është lidhur me shumë klube të tjera italiane dhe europiane. E fundit që u përpoq ta bënte pjesë të saj ishte Fiorentina, por Milik e refuzoi edhe këtë ofertë. Tani, futbollisti polak, sapo t’i kenë mbetur edhe 6 muaj në kontratë me Napolin, mund të bisedojë dhe të zgjedhë klubin e tij të ardhshëm, atë që do t’i ofrojë një pagë të majme dhe sigurinë e aktivizimit.

Mirëpo para se Milik të veshë një fanellë të re sezonin e ardhshëm, duhet të kalojë disa muaj si spektator i thjeshtë. Lojtari, në fakt, jo vetëm që nuk është në planet teknike të Napolit (javët e fundit ai nuk është stërvitur me grupin), por për momentin ai nuk është përfshirë as në listën e të federuarve, që është depozituar në Ligë.

Milik do ta kalojë në tribunë sezonin para zhvillimit të Europianit. Kuptohet që mosaktivizimi i tij do të ketë pasojë edhe në zgjedhjet e trajnerit të përfaqësuese polake.

Napoli do të humbasë një nga lojtarët më të mirë, në qershor, pa arkëtuar qoftë një qindarkë. Për këtë arsye, De Laurentiis nuk do të ketë “mëshirë” në qëndrimin ndaj tij, aq më tepër që Gattuso ka në dispozicion tre qendërsulmues të nivelit të lartë si: Osimhen, Mertens dhe Petagna.


Shtuar 6.10.2020 08:40