Perez ironizon Pogban: S’e di kush është

Pasi Real Madridi e fitoi trofeun e Superkupës së Spanjës, presidenti Florentino Perez u pyet për mundësinë e transferimit të Paul Pogbas këtë muaj ose gjatë verës. Perez u përgjigj duke u tallur se nuk e njeh futbollistin francez.

Real Madridi kishte tentuar ta sigurojë transferimin e mesfushorit francez të Manchester Unitedit, Paul Pogbas, gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar. Mirëpo, Los Blancos dështuan në fund në këtë tentim.

Trajneri Zinedine Zidane e ka shprehur shpeshherë dashurinë e tij për mesfushorin e talentuar francez dhe mediumet spanjolle raportojnë se Los Blancos do të tentojnë ta blejnë Pogban sërish këtë verë.

Kur u pyet për këtë mundësi, pasi Real Madridi triumfoi në penallti në finalen e Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit, Florentino Perez u tall duke thënë se nuk e njeh francezin.

“Nuk e di kush është Pogba”, tha Perezi, përderisa po largohej nga një intervistë për Riyadiya TV.

Pogba ka qenë i lënduar për shumicën e këtij sezoni dhe i ka bërë vetëm tetë paraqitje gjithsej. Ndërkohë, spekulimet sugjerojnë se ai synon që sezonin tjetër ta dëshmojë veten në një klub tjetër, larg Old Traffordit.


Shtuar 14.01.2020 13:10