Napoli rikthehet fuqishëm për Kumbullën

Pasi arriti të nënshkruajë me Amir Rrahmanin për sezonin e ardhshëm, Napoli ka vënë si synim të sjellë nën urdhrat e Genario Gattusos edhe mbrojtësin tjetër shqiptar të Veronës, 20-vjeçarin Marash Kumbulla.

Ky i fundit ishte zbulimi i këtij sezoni të kampionatit italian, pasi debutoi dhe u shndërrua në një lider të prapavijës së Veronës, ndërsa prej muajsh ndiqet me mjaft interes nga klube të ndryshme si Interi e Leipzig.

Zikaltrit kanë qenë më konkretë me propozimin e tyre, pasi i kanë ofruar Veronës 22 milionë euro, plus huazimin një vjeçar të dy futbollistëve dhe gjithashtu lënien e mbrojtësit edhe për një tjetër sezon në “Bentegodi”, për të kompletuar procesin e rritjes.

Megjithatë Napoli duket se është futur fuqishëm në garë për mbrojtësin kuqezi, pasi sipas mediave italiane, i ka ofruar Veronës 28 milionë euro kesh për të marrë menjëherë në “San Paolo” Kumbullën dhe për ta bashkuar sërish me Rrahmanin.

Por te Verona duket se nuk kanë ndërmend të nxitohen, pasi e dinë mirë që ankandi i krijuar për kartonin e mbrojtësit, mund të rritë çdo ditë e më shumë vlerën e kartonit të tij, ndaj pas ofertës së Napolit, presin reagimin e radhës nga Interi.


Shtuar 23.04.2020 07:51