Menaxhon yjet e futbollit, agjenti shqiptar Fali Ramadani po hetohet për pastrim parash

Fali Ramadani është në probleme të mëdha nga Gjykata Kombëtare Spanjolle.

Menaxheri i njohur shqiptar po hetohet për një pjesëmarrje në një skemë për pastrim parash në Mallorca të Spanjës.

Ka qenë gazeta spanjolle Ultima Hora që ka njoftuar për operacionin e ekipit kundër krimit të organizuar dhe grupit ë hetimit financiar.

Ramadani akuzohet për krim ndaj Parasë Publike dhe për shpëlarje parash, ndërsa brenda disa ditësh duhet të udhëtojë drejt Madridit për të dëshmuar në Gjykatën Kombëtare si një person i hetuar, kanë thënë burimet nga gjykata.

Biznesmenë të tjerë dhe ish-futbollistë po hetohen për të njëjtën rast nga Gjykata Kombëtare Spanjolle.

Të dyshuarit janë kryesisht jashtë Spanjës, por që raportohet se kanë zhvilluar biznes me kompani të njohura në Mallorca.

Menaxheri shqiptar Fali Ramadani është njëri nga më të fuqishmit në botën e futbollit.

Ai ka nën menaxhim yje të mëdha të futbollit si Kalidou Koulibaly, Miralem Pjanic, Cengiz Under, Valon Behrami, Ante Rebic, Jerome Boateng, Samir Handanovic e të tjerë.


Shtuar 24.02.2020 16:56