“Me ndeshje çdo 3 ditë do të ketë pasoja shumë të rënda fizike për futbollistët”

Prej më tepër se një muaji futbolli është ndalur për shkak të pandemisë së Koronavirusit, që u ka marrë jetën mijëra njerëzve në mbarë botën dhe ka prekur miliona të tjerë, ndërsa tani të gjithë ligat po përgatiten të rifillojnë, ndonëse nën protokolle të rreptë sigurie.

Synimi i UEFA-s dhe të gjithë federatave është që të mbyllin sezonin në kampionatet lokale dhe ligat europiane, për të shmangur humbjet e mëdha ekonomike dhe për t’ia dalë kanë menduar zhvillimin e ndeshjeve nën një kalendar mjaft të ngjeshur gjatë verës.

Por kjo duket se ka shqetësuar ndjeshëm ish-trajnerin e Romës, aktualisht në pankinën e Lyonit, Rudy Garcia, i cili deklaroi në një intervistë për mediat franceze se pas një pushimi thuajse dy mujor, do të jetë e vështirë të luhet çdo tre ditë.

“Ne kemi rreth dy muaj që bëjmë pushim dhe rikthimi në fushë me ndeshje çdo 3 ditë do të ketë pasoja shumë të rënda në aspektin fizik për futbollistët. Do të jetë gati e pamundur të përballohet një ngarkesë e tillë, ndaj duhet menduar një zgjidhje, sepse ky nuk është thjesht mendimi im, por i të gjithë kolegëve të mi dhe atyre që e njohin këtë fushë”, deklaroi Garcia.


Shtuar 19.04.2020 19:32