Ibra nuk e shmang dëshirën për të shënuar: Doja të shënoja dhe të festoja si zot

Zlatan Ibrahimovici e zbuloi dëshirën e tij për të shënuar dhe për të festuar me tifozët e Milanit, pasi klubi italian u ndal me barazim pa gola nga Sampdoria në kthimin e sulmuesit suedez në Serie A.

38-vjeçari, i cili e kishte fituar titullin e Serisë A me Milanin në sezonin 2010/11, u inkuadrua në ndeshjen kundër Sampdorias nga stoli në minutën e 55-të, mirëpo nuk arriti të shënojë në këtë ndeshje në San Siro.

Pas ndeshjes, Ibrahimovici e dha një intervistë për lidhjen e tij me tifozët e Milanit dhe bëri të ditur se kishte dashur të festonte para tyre si zot pasi të shënonte gol.

“Raporti im me këta tifozë mbetet i mrekullueshëm dhe kjo gjë më motivon shumë mua. Unë dëshirova të kthehem në fushë, të shënoj gol dhe pastaj të festoj si zot para tifozëve”, tha Ibrahimovici.

“Vërehet në fushë se ne kemi mungesë të vetëbesimit dhe agresivitetit kur jemi duke tentuar të krijojmë raste për të shënuar gola. Ne nuk jemi mjaftueshëm të mirë në këtë fazë”.

“Kam qenë këtu që katër ditë, do të tentoj t’iu ndihmojë të gjithëve në të gjitha mënyrat e mundshme. Ende po na mungon një lloj besimi mes vete”.

Ibrahimovici e zëvendësoi sulmuesin polak Krzysztof Piatek jo shumë kohë pas përfundimit të pjesës së parë, kur u inkuadrua për të luajtur përkrah sulmuesit të ri portugez Rafael Leao.

“Unë ia sqarova Leaos se çfarë lëvizje duhet të bëjë, pasi që edhe e kam të gjithë këtë përvojë”, shtoi Ibrahimovici.

“Ne duhet të vuajmë për momentin, tifozët s’janë të lumtur dhe rezultatet nuk janë pozitive. Ne punojmë dhe mendojmë në mënyrë pozitive”.


Shtuar 7.01.2020 13:04