Trefishohet çmimi i qirave në Laç, banorët e prekur nga tërmeti s’dinë ku të “përplasen”

Sigurimi i një banese me qira është kthyer në një mision të vështire për banorët e Laçit. Kjo për shkak se gjysma e pallateve ne qytet janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Pas paralajmërimit për daljen nga hotelet ku edhe janë strehuar pas tërmetit qindra banorë të ngelur pa shtëpi po renden në kërkim të banesave me qira, por që sipas tyre nuk kanë mundur të gjejnë. Ata thonë se edhe çmimi i qirave është trefishuar në zonën e Kurbinit pas tërmetit.

“Nuk e dimë se ku do shkojmë, shtëpi me qira nuk kemi gjetur. Bonus qiraje na kanë thënë për të dërguar letrat, i kemi çuar letrat, tani të shohim. Ne nuk po gjejmë shtëpi me qira, shtëpitë janë shtrenjtuar i kanë rritur çmimet. Nëse ka qenë 10 mijë lekë është bërë 150 mijë lekë ose 200 mijë lekë të vjetra. Dhe ata që kanë qenë me qira i kanë nxjerrë për t’i dhënë më shtrenjtë. Nuk kam lënë vend pa kërkuar për shtëpi me qira, nuk duam luks vetëm shtëpi”, tha një banore.

Jemi munduar për të gjetur shtëpi, nga nuk i kemi rënë por nuk kemi gjetur kërkund. Nuk e di çfarë të bëjmë”, tha një banore.

“Është i gjithë Kurbini që janë dëmtuar banesat, ku t’i gjejmë banesat”, – tha një tjetër banor.

Në Qarkun e Lezhës janë dëmtuar 3983 banesa nga tërmeti i 26 nëntorit përfshire dhe apartamentet në 126 pallate. Ku 70 % e dëmeve janë në Bashkinë e Kurbinit. Deri tani kanë aplikuar për bonus qiraje rreth 1 mijë familje, ndërsa autoritetet ju kane bërë thirrje banorëve të strehuar në hotelet e Shëngjinit qe të sigurojnë sa më parë banesa me qira dhe të lënë hotelet ku qëndrojnë të akomoduar./Report tv


Shtuar 6.01.2020 17:45