Rreth 100 vatra infeksioni, si është situata nga COVID-19 në vend

Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore deklaruan sot se numri i pacientëve të shëruar nga COVID-19 është afro dy herë më i lartë se i qytetarëve të sëmurë nga ky virus.laborator

Por në gjithë vendin janë 100 vatra famijare infeksioni dhe raste të reja po zbulohen përditë.

Në Shqipëri u zbuluan 24 orët e fundit edhe 7 raste të reja personash me COVID-19 në 3 qytetet më të prekura në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.

Në dy spitalet COVID po mjekohen aktualisht 36 pacientë, ndërsa 15 të tjerë janë shëruar.

Prej më shumë se dy javësh numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të sëmurëve.

Madje së fundi numri i të shëruarve është sa afro dyfishi i atyre që janë ende të sëmurë.

Por ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, thotë se epidemia është ende aktive në 100 vatra.

“Jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, ku aktualisht kemi 272 persona aktivë të prekur nga COVID19. Sot konstatojmë shpërthime në rreth 100 vatra, kryesisht vatra familjare si dhe vatra ne qendra pune dhe po bëhet një punë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit” – tha zonja Manastirliu.

Ministrja Manastirlliu i bëi këto komente në seancën e sotme të parlamentit, ku deputetët ishin sërish me maska dhe masa të tjera mbrojtëse prej COVID-19.

Parlamenti miratoi sot ndryshime të tjera në buxhetin e shtetit dhe një seri aktesh normative të qeverisë mbi përballimin e kësaj epidemie.

Zyrtarët po përgatiten edhe për hapje të mëtejshme të familjeve dhe bizneseve.

“Hapja e një seri biznesesh në fillimin e kësaj jave është pjesë e strategjisë së rihapjes, për të vlerësuar situatën për dy javët që pasojnë. Po tregojme shume kujdes per rihapjen ne disa faza, por duhet të respektohen masat e distancimit fizik, të cilat deri më sot kanë dhënë rezultat, për të mos patur një përhapje të lartë” tha Manastirliu.

Sipas statistikave zyrtare të shëndetësisë, pacientët me COVID-19 janë shëruar plotësisht në 6 qytete, ndërsa në shumë të tjera nuk u gjet asnjë rast.

Qeveria ka shpallur disa zona të gjelbëra dhe javën tjetër janë njoftuar lehtësime të tjera për lëvizjen e qytetarëve dhe bizneseve. VOA


Shtuar 30.04.2020 12:38