Pyet Meta: Kam bërë gjë akt tradhëtie ndaj Shqipërisë unë?

Kreu i Shtetit Ilir Meta tha se mbi iniciativën për shkarkimin e tij socialistët tentuan të rrëmbejnë me stil Gjykatën Kushtetuese.

Meta shtoi se Presidenti nuk mund të shkarkohet nga Kuvendi me votat e maxhorancës.

“Presidenti shkarkohet kur janë 94 vota në parlament, ata kanë 82 vota, votat e PS-së dhe tre deputetët që nuk dorëzuan mandatet dhe bënë shumë mirë që nuk i dorëzuan. Ata e kanë tërësisht të kontestueshme nga ana ligjore dhe Kushtetuese. Çfarë krimi ka bërë Presidenti?”

Meta ishte i ftuar sot në emisionin “Tempora” në RTV Ora, ku tha se “Unë punoj me Kushtetutën e Shqipërisë që është në gjuhën shqipe”.

“Nuk bëhet fjalë për fatin tim politik, se unë jam në rregull për aq kohë sa kam respektuar interesat e shqiptarëve dhe interesin publik. Nuk i kam marrë kompetencën askujt. I kam kërkuar të më krijoni mundësinë që të zbatoj kompetencën time dhe hajde Kuvend të bashkëpunojmë, ata thonë jo duan ta rrëmbejnë sepse na duhet të kemi Gjykatën Kushtetuese dhe çdo gjë. Ky është rrëmbim i qartë e flagrant dhe pa stil fare”.

Lidhur me akuzat dhe mosmarrëveshjet me kreun e qeverisë, Edi Rama, Presidenti Meta u shpreh se “kryeministri thotë dëgjo se ne kemi folur me partnerët. Unë nuk kam folur me partnerë. Unë flas me Kushtetutën e Shqipërisë”.

“Dhe këtë e kemi bërë me komisionin e Venecias. Ajo i ka bërë këto sygjerime që ajo të bëhet në mënyrë të balancuar. Tre presidenti, tre kuvendi, tre gjykata e lartë dhe këto do të përcaktohen sipas rradhës kushtetuese”.

I pyetur nëse e ka kaluar kaluar kompetencën por pa shkelur Kushtetutën, Presidenti Ilir Meta sqaroi më tej se “ky është një spekulim sepse Venecia në draftin e parë foli se mund të ketë tejkalim të kompetencës”.

“Kushtetuta ka vetëm shkelje. Venecia pasi mori përgjigjet tona, u bëri të qartë që pavarësisht se çfarë pretendimesh keni ju për presidentin që kjo është një gjë kot që nuk duhet të vazhdoni ne këtë procedurë. I vetmi institucion që nuk është nën kontrollin e mazhorancës është ai i presidentit dhe e vetmja shpresë që mund të ketë sistemi i drejtësisë dhe çdo qytetarë që është Gjykata Kushtetuese të kapet në mënyrë më flagrante”.

“Për çfarë do të më shkarkojë mua gjykata Kushtetuese?”, – u shpreh Ilir Meta. “Kam bërë gjë akt tradhëtie ndaj Shqipërisë unë? Për çfarë? Presidenti shkarkohet kur janë 94 vota në parlament dhe ata kanë 82 vota dhe ato 30 deputetët që nuk dorëzuan mandatet. Ata çdo gjë tjetër e kanë të kontestueshme nga ana kushtetuese dhe ligjore. Presidenti shkarkohet për shkelje të rënda që do të ketë vënë në diskutim kufijtë e shqipërisë. Këtu nuk bëhet fjalë për fatin tim politik. Më hiqni pengesën kushtetuese”, theksoi ndër të tjera Meta.

Kreu i Shtetit tha se nuk do të suprizohej me një vendim në disfavor të tij, por shton se çdo gjykatë që i jep të drejtë zotit Dvorani tregon se është e kapur politikisht dhe e korruptuar, po ashtu dhe çdo institucion ndërkombëtar.

“Nuk do të shokohesha po të ndodhte dhe kjo gjë. Që nga zgjedhja e prokurores së përkohshme që u zgjodh me 69 vota në mënyrë të paligjshme këtu kanë ndodhur gjëra të çuditshme.”

“E vetmja shpresë për për mbrojtur këtë sistem demokratik dhe të drejtat e qytetarëve mbetet gjykata Kushtetuese.Çdo gjykatë që i jep të drejtë zotit Dvorani tregon se është e kapur politikisht dhe e korruptuar dhe çdo institucion ndërkombëtar”.


Shtuar 7.01.2020 21:15