Prokuroria e Tiranës: Do të hetohet kushdo që përhap panik mbi koronavirusin

Prokuroria e Tiranës do të ndjekë penalisht çdokënd që përhap panik në rrjetet sociale apo platforma të ngjashme mbi koronavirusin.

Pak më parë, përmes një njoftimi për shtyp, prokuroria thekson se do të ndjekë çdo rast që përhap panik duke e hetuar për “Përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.

Me të njëjtën akuzë po ndiqet edhe audio-mesazhi i përhapur dje në rrjetet sociale nga një vajzë, sipas të cilës në Shqipëri janë 12 rast me koronavirus. Fill pas kësaj reagoi Ministria e Shëndetësisë duke mohuar gjithçka.

“Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme”, njofton prokuroria.

Njoftimi i plotë

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të Coronavirusit, në vendin tonë, filloi kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.

Objekti i hetimit lidhet me situatën e krijuar si rezultat i hapjes së informatave për të cilat dyshohen se janë të rreme, për shkak të natyrës sensitive që paraqet përhapja e këtyre informacioneve në masën e gjerë.

Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme.

Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë.


Shtuar 24.02.2020 10:26