Përfundon mbledhja e Këshillit Politik: Reforma zgjedhore, sa më shpejt!

Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore ka përfunduar pak minuta më parë. Demokratja Rudina Hajdari, në një deklaratë për mediat, e cilësoi mbledhjen të suksesshëm dhe kërkoi që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse.

Ajo deklaroi se takimet do të jenë të shpeshta në vijim sepse puna për reformën zgjedhore është intensive.

“Duhet të jetë një produkt final sa më gjithëpërfshirës. Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus. Palët kanë filluar të flasin për ndryshimin e sistemit që kërkon kohë dhe nuk është përjashtuar nga tavolina. Është një gjë për t’u parë.

E rëndësishme është fakti që ne duhet të kemi një produkt të dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur reformën zgjedhore, por duke ju dhënë një shans shqiptarëve për të pasur lista të hapura. Shqiptarët duhet të votojnë për atë që ata duan.

Unë mendoj se hapja e listave do të ishte një gjë shumë më pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Takimi në përgjithësi ishte i suksesshëm, ne do të vijojmë të takohemi përditë sepse duhet të një punë shumë intensive”, tha Rudina Hajdari.

Ndërsa Oerd Bylykbashi theksoi edhe një herë se duhet të respektohen rekomandimet e OSBE-ODHIR.

“Pikat kryesore të diskutimit për reformën zgjedhore janë manipulimi i listave, cenimi i sekretit të votës, presionit të zgjedhësve, blerjes së votave, përfshirjes së personave me precedent penal në procesin zgjedhor etj. Këto janë disa nga pikat e çështjes duke mos përjashtuar asnjë tjetër duke u bazuar tek rekomandimet e OSBE-ODHIR-it.

Unë nuk kam çfarë shtoj asgjë nga ajo çfarë është dakordësuar në atë çfarë ne kemi firmosur në atë tryezë, të cilën Kuvendi i Shqipërisë duhet ta miratojë pa humbur kohë”, tha Oerd Bylykbashi.


Shtuar 16.01.2020 17:10