Palët flasin për konsensus: Për çfarë ramë dakord

Ka përfunduar takimi surprizë për Reformën Zgjedhore. Dy përfaqësuesit politikë të opozitës jashtëparlametare Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili u shprehën se ky është hapi i parë për të realizuar reformën.

I pyetur nga gazetarët se përse pranuan të ulen në tryezë me Damian Gjiknurin, në një kohë kur opozita e ka kundërshtuar, Vasili tha: “Nuk kemi ndryshuar asnjë qendrim por nuk imponojmë zgjedhjet e palës tjetër. Jemi këtu me bindjen për krijimin e një procesi solid”.

Po ashtu detajet e takimit i dhanë edhe dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Gjiknuri u shpreh se ka një marrëveshje mes palëve politike, që opozita e bashkuar të përfshihet në diskutimet për Reformën Zgjedhore.

Ndërkaq, Rudina Hajdari, përfaqësusja e opozitës parlamentare tha se Prezenca e PD dhe LSI tregon që kanë pranuar se rruga e duhur për të zgjidhur problemet ka qënë ajo institucionale dhe jo ajo me protesta e molotov.

Deklaratat:

Oerd Bylykbashi: Ne si opozitë dhe pala tjetër ramë dakord për fillimin e procesit të Reformës Zgjedhore. Ky dokument sot garanton atë që kemi kërkuar prej kohësh. Reforma zgjedhore bëhet me konsensus, dhe të jetë gjithëpërfshirëse. Në këtë mekanizëm do të kemi edhe asistencën e ndërkombëtarëve. Pas kaq kohësh nga kërkesa jonë për të arritur do të insitucionalizohet një forum thelbësor do të jetë Këshilli Politik.

Petrit Vasili: Është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm, ka të bëjë me plotësimin e kushtit kyç të Bundestagut. Baza e parimeve është një bazë që krijon mundësi që të gjithë aktorët të kenë mundësi të shprehen dhe të realizohet gjithëpërfshirja. Besoj se në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejtim, do të ishte një mundësi për të ecur përpara.

Damian Gjiknuri: Kemi një marrëveshje mes palëve politike, që opozita e bashkuar të përfshihet në diskutimet për reformën zgjedhore. Ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ekspertëve të ODIHR, që do i ftojmë të vijnë në Tiranë. Ne kemi thënë që jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën. Takimet do të jenë çështje të reformës zgjedhore. Çështja e sistemit zgjedhor nuk është një rekomandim ndërkombëtar dhe askush nuk mund të japë mendim për të.

Rudina Hajdari: Prezenca e PD dhe LSI tregon që kanë pranuar se rruga e duhur për të zgjidhur problemet ka qënë ajo institucionale dhe jo ajo me protesta e molotov, e cila nxinte imazhin e Shqipërisë. Sot PD dhe LSI pranuan që rruga që do t’i jepte zgjidhje kësaj krize ka ide dhe plane konkrete. Do kërkojë konsensus nga palët dhe dua të theksoj se vullneti i opozitës do vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Shqiptarët kanë nevojë që t’u kthehet sovraniteti në parlament. Kanë nevojë për Kod Zgjedhor për të pasur përfaqësim dinjitoz. Unë ju garantoj se do të luftojë deri në fund për këtë gjë.


Shtuar 14.01.2020 13:49