OKB ngre alarmin për dhunën seksuale ndaj të miturve në Shqipëri

Të martën, dy institucionet ndërkombëtare në mbrojtje të së drejtave të njeriut, UNICEF dhe UN WOMEN, kanë reaguar në lidhje me abuzimin seksual të kryer kundrejt një të miture 15-vjeçare, nga ish-roja i njërës prej shkollave në zonën e Babrrusë, në periferi të Tiranës.

“Dhuna seksuale e kryer ndaj kujtdo është një krim, ne jemi veçanërisht të shqetësuar për intensitetin me të cilin prek gratë, vajzat e reja dhe fëmijët,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp UN Ëomen dhe UNICEF.

“Kjo përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë”, shtuan dy organizatat, ndërsa theksuan se “gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë.”

Ndërkohë gjatë ditës së martë është mbajtur seanca gjyqësore për abuzuesit me 15-vjeçaren, pasi përveç ish-rojes 65-vjeçar të shkollës, kanë qenë edhe 3 djem të rinj të cilët akuzohen se janë të përfshirë në veprën penale ndaj të miturës.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një deklaratë për mediat është shprehur se pa denoncim nuk kanë se si të dënohen abuzuesit, prandaj ajo i ka nxitur studentët të denoncojnë çdo formë të dhunës apo abuzimit ndaj tyre.

“Përgëzoj nxënësit që gjejnë kurajon të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre, si hapi i parë dhe i domosdoshëm për të luftuar bullizmin dhe dhunën. Duhet bashkëpunim i të gjithëve për të ndryshuar kulturën patriarkale që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave”, ka shkruar ministrja e arsimit Besa Shahini në një postim të sajin në rrjetet sociale.

Organizatat e shoqërisë civile dhe ato në mbrojte të grave të dhunuara kanë publikuar dje një letër të titulluar “Ti ke motra, nuk je vetëm” me mesazhin “Ti nuk je fajtore”, drejtuar çdo vajze të abuzuar dhe të dhunuar, duke vënë theksin në përgjegjësinë që duhet të mbajnë strukturat shtetërore në lidhje me ofrimin e edukimit, sigurisë së qytetarëve si edhe dënimit të këtyre veprave kriminale.

UNICEF dhe UN WOMEN i bënë thirrje medias që ta përdorë fuqinë e saj për të mbështetur plotësisht të mbijetuarat de jo autorët e krimit dukë bërë publike detajë që zbulojnë identitetin e vitkmave.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale”, shkruan stafi i UN WOMEN, duke nënvizuar se shoqëria nuk duhet të bëjë një sy të verbër ndaj fenomeneve të abuzimit.

Ato i kanë bërë gjithashtu thirrje institucioneve ligjzbatuese që të hetohen këto krime dhe mos të tolerohet në asnjë mënyrë asnjë lloj abuzimi apo ngacmimi.

/BIRN/


Shtuar 3.06.2020 16:14