Kini kujdes! Çfarë duhet të dijë një person që vjen nga një zonë e infektuar

Shefja e Infektivit në Qendrën Universitare ‘Nënë Tereza’, Najada Çomo, e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, ka bërë një apel të hapur ndaj të gjithë qytetarëve, të cilët kanë ardhur nga zonat e prekura nga koronavirusi. Është me mjaft rëndësi që çdo qytetar që ka ardhur nga ndonjë prej vendeve të prekura, të marrë ne telefon numrin 127, i cili është numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës.

“Duhet të kesh patjetër kriterin nga ana e udhëtimit, pra të vish nga një zonë, deri pak përpara ishte dhe vazhdon të jetë Kina, por natyrisht vëmendja e njerëzve me të drejtë është spostuar tek Italia.

Nëse një person vjen nga një zonë që ka patur infeksion nga koronavirusi, qytetari nuk vjen për t’u vizituar, por merr 127, që është numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës dhe këtë duhet ta them me shumë rëndësi. Sepse ardhja nëpërmjet urgjencës bën dhe palën pritëse ta presë personin edhe me kushte më të mira, edhe në aspektin e veshjes nga ana profesionale”.

Ajo solli në fokus edhe simptomat e para që ka një person, pasi është infektuar nga koronavirusi.

“Për fat të keq, nuk ka dallim esencial, do të thotë ne jemi në sezon gripi. Ne jemi në situatë virozash stinore, që kanë shenja të përbashkëta, temperatura, kolla, rrufa, teshtima. Edhe infeksioni nga koronavirusi ka po të njëjtat shenja. Pra nga ana e shenjave klinike, e ke krejt të vështirë për ta dalluar nëse personi ka shenja të zakonshme. Nëse personi ka infeksion të rëndë të mushkërive, pra pamjaftueshmëri të funksionit të mushkërive, situata është më e agravuar dhe natyrisht ai person është padyshim i shtruar në kushte spitali”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreziku i prekjes nga virusi vlerësohet “Shumë i Lartë” për Kinën dhe “I Lartë” për pjesën tjetër të botës.

Në Itali është rritur frikshëm numri i viktimave. Në orën 18:20 të ditës së sotme, raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 11, ndërsa të prekur nga koronavirusi janë 322 persona.

Viktimat e fundit janë mbi 80-vjeç. Sakaq virusi po merr shtrirje edhe në zona të tjera të Italisë, përpos qyteteve që janë në karantinë.


Shtuar 25.02.2020 19:09