Kaloi 8 ton drogë në Portin e Durrësit, kush është Florenc Tresa i shenjestruar nga OFL-ja

OFL i ka dërguar formularin e deklarimit të pasurisë tre personave të dënuar për krime të rënda në vend.

Emri i parë është Jani Alia ndërkohë që dy emrat e tjerë janë Katan Bahoja dhe Florenc Tresa.

Florenc Tresa është i përfshirë në një ngjarje të 2017 ku në bashkëpunim kaluan kamionin me 8 ton drogë nga Porti i Durrësit.

Droga me vlerë 80 mln euro u sekuestrua nga Policia e Napolit në një mega operacion, pasi kishte mbërritur nga Porti i Durrësit.

Hetimi kryesor për këtë çështje është trafikimi i drogës nga Porti i Durrësit drejt Portit të Ankonës në Itali, në dy episode, i pari më datë 05. 02. 2017, rreth 8 ton dhe episodi i dytë, më datë 19. 03. 2017, rreth 2 ton drogë.

Njoftimi i plotë

Vijon Operacioni Forca e Ligjit.

Në zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:

– J. A., banues në Tepelenë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe me 4 vite për veprën “Armëmbajtja pa leje”. Në bashkim të dënimeve Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të mësipërme.

– K. B, banues në Gjirokastër, i cili është arrestuar nga autoritetet greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

– F. T., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020. /albeu.com/


Shtuar 4.03.2020 12:41