Ekzekutoi shokun e ngushtë, kush është Jani Aliaj që mori sot ultimatumin nga OFL

Operacioni Forca e Ligjit ka kërkuar sot që Jani Aliaj të deklarojë pasurinë brenda 48 orësh.

Aliaj është një emër i njohur nga policia pasi akuzohet për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe me 4 vite për veprën “Armëmbajtja pa leje”. Në bashkim të dënimeve Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të mësipërme.

Kush është Jani Aliaj

Aliaj i cili ka lindur dhe është rritur në Tepelenë, konsiderohet si një nga individët më të rrezikshëm të krimit shqiptarë dhe drejtues i një organizate të strukturuar, e cila përveç të tjerave, si veprimtari kryesore ka kultivimin dhe trafikimin e drogës. Mbi Aliajn dhe grupin e tij kriminal rëndojnë akuzat për shumë vrasje, por më e bujshmja ishte ajo 1 Majit 2016; ekzekutimi i një tjetër eksponenti të fuqishëm të krimit Elton Çiço.

Vrasja në fjalë tronditi opinionin në atë kohë, sepse ndodhi në një ambient publik mjaft të frekuentuar nga qytetarët, në zonën e ish-bllokut, teksa Elton Çiço ishte duke pirë kafe me një oficer policie, një doktor dhe 1 gazetar të kronikës së zezë. Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë dhe gazetarit, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.

Historia e konfliktit mes dy grupeve kriminale me bazë në Tepelenë është shumë më e hershme dhe ka lënë pas, shumë viktima.

Si fillesë e kësaj sage hakmarrje mes dy bandave, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj. Por përveç kësaj, policia ka ndjekur edhe pistën e një prishjes së pazareve në trafikun e drogës në Greqi ku të 2 grupet nga Tepelena kanë ushtruar aktivitetin kriminal, prej gati dy dekadash.

Vrasja e parë ka ndodhur në fshatin Zhabakin, në qershor të vitit 2000, kur Jani Alia goditi për vdekje me thikë E. Ballazhiun, 20 vjeç, shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës dhe bashkëmoshatar i tij. Në atë moment autori i kësaj vrasjeje nuk dihej dhe Çiço ishte angazhuar për ta gjetur. Në 2003 Çiço arrestohet në Greqi dhe përballet në burg me Jani Aliajn, të dy të arrestuar për drogë. Pikërisht brenda ambienteve të burgut grek Çiço tenton të vrasë Aliajn, por arrin vetëm që ta plagos në dhomën e ajrimit me një thikë të improvizuar.

Pak kohë më vonë të dy përfitojnë ulje dënimi dhe dalin nga burgu grek, por për tu “takuar” sërish me njëri tjetrin në Shqipëri, ku vijojnë disa atentate reciproke.

Më 30 mars 2015 tre persona grabisin dhe dhunojnë keqas në Tepelenë prindërit e Elton Çiços duke marrë një shumë të vogël parash. Grabitja kishte ndodhur pas disa punimeve duralumini që prindërit e Çiços kishin bërë në shtëpi, por në fakt më shumë ishte një mesazh ndaj Çiços. Pasi identifikoi të 3 autorëve Çiço u vu në veprim.

Më 10 qershor 2015 në zonën e njohur si “Ish-këneta” në Durrës u ekzekutua Robert Rama, autor i grabitjes në Tepelenë, i shpallur në kërkim nga policia. Por fajësia e Çiços nuk u provua nga policia.

Më 4 maj 2015, autorit të dytë të grabitjes, ai që dyshohej të kishte bërë transportin deri në shtëpinë e prindërve të Çiços, Elvis Imerit i vihet një sasi eksplozivi në makinën e marrë me qira.

Eksplozivi u vu re nga Imeri para se të ndizte makinën duke i shpëtuar kështu atentatit. Por atentatet ndaj tij vazhduan dhe në 9 dhjetor të 2015 i vihet eksploziv vëllait të tij Elton Imerit, ish-ushtarak, i cili për shkak të shpërthimit humbi njërën këmbë por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.

Më 10 janar 2016 Jani Aliaj u tentua të ekzekutohej nga Elton Çiço. Aliaj u qëllua disa herë nga një makinë në lëvizje por asnjë plumb nuk e kapi. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur lehtë vetëm një kalimtar i rastit.

Atentatet ndaj tij vijuan dhe në Gjirokastër, ku më 25 prill 2016 përsëri u qëllua nga një makinë në lëvizje dhe mbeti i plagosur lehtë në dorë. Për ngjarjen ai nuk denoncoi në polici duke thënë se nuk kishte konflikte me njeri.

Vetëm 1 javë më vonë, më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok ekzekutohet me 2 plumba Elton Çiço. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.

Pas vrasjes së Elton Çiços, miqtë e tij, mes tyre Andi Mustafaraj premtuan hakmarrje.

Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajt, më 21 gusht të këtij viti rreth orës 15:35 në një lokal në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt, por arriti të shpëtojë disa bimëve dekorative që kishte lokali, me vetëm një plagë plumbi në vesh.

E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarajt me 28 tetor te një lokal në zonën e Ish-ekspozitës. Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina është ulur në kafe, dhe aty u qëllua 3 herë me armë duke mbetur i plagosur. Vrasja e rradhës do të ishte ajo e 34-vjeçarit Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe rival i grupit të Elton Çiços. Pata u ekzekutua në makinën e tij dhe u gjet vetëm pak minuta më vonë nga policia. Po ashtu në periferi të Fierit policia gjeti një makinë të djegur që dyshohet se ishte e autorëve.


Shtuar 4.03.2020 12:35