Policia e Lushnjes dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë po vazhdojnë kërkimet për kapjen e Gëzim Saraçit i cili akuzohet si autori që hodhi granatën që plagosi në zyrë kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe, së bashku me sekretaren Erisa Qalliu.
Kontrollet kanë vijuar për tri ditë në Lushnje dhe fshatrat përreth, por edhe në Fier dhe Berat ku dyshohet se fshihet Saraçi.
Fotografia e të dyshuarit është shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe policive homologe, pas dyshimeve se autori mund të tentojë të largohet nga Shqipëria.
Ndërkohë është forcuar edhe siguria e krybashkiakut të Lushnjes dhe familjes së tij për të shmangur çdo akt kriminal të mundshëm.
Shpërthimi ndodhi praditen e 31 dhjetorit teksa krybashkiaku Fatos Tushe ishte bërë gati të niste ditën me një konferencë për mediat për bilancin e vitit 2019.
Ngjarja ka nisur fillimisht me një debat mes Tushes dhe Saraçit, ndërsa më pas ky i fundit ka hedhur edhe granatën, për t’u larguar me shpejtësi.