Policia hesht kur pyetet nga VOA se pse mësuesi turk u dëbua kur kishte kërkuar mbrojtje

Një avokat i shtetasit turk Harun Çelik, i cili dje është deportuar drejt Turqisë, i tha Zërit të Amerikës se veprimet ndaj klientit të tij janë në shkelje të ligjit dhe se prokuroria duhet t’i hetojë këto veprime të paligjshme.

“Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë. Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm” – tha avokati Alban Bengasi.

Harun Çelik, 42 vjeç, mësohet se ishte mësues, pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, i cili në përpjekje për t’iu larguar kërcënimeve nga Turqia, u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë. Zoti Çelik shleu disa muaj dënim në paraburgim.

Avokati Bengasi tha se “Harun Çelik u ka kërkuar zyrtarëve azil politik por kjo i është refuzuar nga autoritetet e policisë së burgjeve.”

Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës” se “ky shtetas ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu… Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.

Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se “nuk kishte informacion tjetër”./voa


Shtuar 2.01.2020 15:58