Do paguhet nga taksat e shqiptarëve! Shteti duhet t’i paguajë 140 milionë euro Beketit

Shteti shqiptar duhet t’i paguajë biznesmenit italian, Françesko Beketi, një shumë që shkon deri në 140 milionë euro.

Shifër e cila do të paguhet nga xhepat e shqiptarëve, pas mbylljes së Agon Channel me vendim të qeverisë Rama.

Më 24 prill të vitit që shkoi, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, ICSID me seli në Uashington, mori vendim të formës së prere që shteti shqiptar duhet t’i paguaje 110 (+30) milionë euro dëmshpërblim pronarit të AGON Channel, Françesko Beketi.

Taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë sipas këtij vendimi 140 milionë euro, plus shpenzime marramendëse dhe asnjëherë transparente që qeveria shqiptare ka bërë për avokatet e saj dhe detyrimet për proceset gjyqësore.

Gjithçka pas një sulmi të paprecedentë e të papërgjegjshëm të kryeministrit Edi Rama kundër televizionit, pronarit dhe gazetarëve që punonin aty.

Pas këtij vendimi, shteti shqiptar bëri dhe një përpjekje për të fituar kohe dhe kërkoi të anulojë një pjesë të vendimit.

Gjykata e Uashingtonit pranoi kërkesën për rishqyrtim të asaj pjese të argumentuar nga shteti shqiptar duke pezulluar përkohësisht shlyerjen e pagesës, pra zbatimin e menjëhershëm të vendimit derisa një komitet ad-hoc do të shqyrtonte si anulimin, ashtu edhe pezullimin.

Komiteti ad-hoc vendosi më 23 mars 2020 të heqë pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pagimin e 110 milionë eurove. Kjo do të thotë se ekzekutimi i kësaj shume duhet të bëhet automatikisht dhe menjëherë.

Ndërkohë nga institucioni i Avokatisë së Shtetit, nga Qeveria apo Ministria i Financave nuk është marrë kurrë një përgjigje se sa ka harxhuar shteti shqiptar për pagesat e avokatëve apo sa ka qenë kosto e detyrimit për procedurat e kërkesës për anulim duke shkelur çdo detyrim për transparencë e ligj informimi.


Shtuar 24.03.2020 15:09