60 prej tyre lanë sot Shqipërinë, flasin infermierët që mbërritën në Itali (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video nga Aeroporti i Rinasit ku janë nisur një grup i dytë prej 60 mjekësh dhe infermierësh drejt Italisë për t’iu bashkuar bluzave të bardha atje në luftën ndaj koronavirusit.

Disa nga bluzat e bardha kanë treguar edhe arsyet pse e morën këtë vendim ndër të tjera, disa prej tyre thanë:

“Zgjodha për shkak se Italia ndodhet në një gjendje të vështirë dhe të japim ndihmesën tonë”.

“Kam shumë të afërt që ndodhen atje, dhe mbase kanë nevojë për ndihmë”.

“E ndjej si obligim për shkollën që kam bërë dhe profesionin që kam zgjedhur”.

“Do të tregojmë veten në këtë luftë me një armik të padukshëm”.

“Çdo kush që ka kryer mjekësi dhe infermieri duhet të ndjehet i obliguar për ta kryer këtë punë, gjërat e tjera janë në plan të dytë”.

Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka përshëndetur vendimin e bluzave të bardha të cilëve iu ka shprehur sigurinë për familjarët e tyre që i kanë lënë në atdhe ndërsa i ka falenderuar për nismëjm dhe kontributin e tyre.

“Dua t’ju falenderoj me zemër që keni pranuar të bëheni pjesë e misionit tonë të dytë në kuadër të solidaritetit. Siç na bënë krenar grupi i parë, jam e bindur dhe ju do të na bëni krenar. Ju falenderoj në emër të kryeministrit. Nënë Tereza thoshte se “mund ta mendoni se jemi një pikë uji në oqean, por pa këtë pikë uji oqeani do të ishte më i vogël”.

“Jemi krenar për ju, jemi të bindur që do të na nderoni, askush vetëm nuk do ta fitojë këtë luftë, të gjithë sëbashku mund të bëjmë më të mirën. Ashtu siç ju premtuam edhe kolegëve që u nisën para disa javësh se për aq kohë sa nuk do të ishin, do të kujdesemi nepër familjet tuaja, tek të cilët keni gjysmën e shpirtit. Ne jemi këtu për ata, shkoni të qetë, kujdesuni për veten dhe të riktheheni shëndosh e mirë”, tha Manastirliu.


Shtuar 20.04.2020 17:47