I grabiti orën rumunit dhe vrau një person, policia greke arreston shqiptarin

Një shqiptar 42-vjeçar, i cili punonte në ndërtim ka rënë në prangat e policisë greke ditën e djeshme, pas lëshimit të një urdhër arresti nga autoritetet italiane.

Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur është i kërkuar në Itali për veprën penale ‘vrasje’ dhe është arrestuar në Larisa, ku jetonte më gruan greke dhe dy fëmijët.

Mediat e huaja shkruajnë se ai dyshohet se është autor i një ngjarje të ndodhur në Romë në 1998, ku pasi i grabiti orën një shtetasi rumun, vrau një bashkëkombasin e këtij të fundit.

Asokohe ai është larguar menjëherë nga Italia, por në vitin 2001 u dënua në mungesë me 15-vjet heqje lirie.

Pas rënies në pranga, para policisë greke ai ka pranuar krimin, por ka thënë se e ka kryer dënimin në Shqipëri. Sipas tij, në vitin 2017 është arrestuar në Shqipëri si i kërkuar nga Italia, por pasi ka kryer 7 muaj burg, është liruar pasi vepra penale ishte parashkruar sipas legjislacionit shqiptar. Në seancën gjyqësore në Gjykatën e Selanikut ishte prezente dhe gruaja e tij shtatzënë dhe avokati, shkruan panorama.

Ne fund, prokurori dhe gjykatësi vendosën mbajtjen e tij në burg deri në vendim për ekstradimin ose jo te tij në Itali.


Shtuar 27.08.2020 16:50