Nëpër shtylla për të mbledhur informacion për qëllime kriminale, policia në Shkodër çmonton 38 kamera të tjera

Policia e Shkodrës ka finalizuar fazën e dytë të operacionit “Fijet” dhe ka çmontuar 38 kamera të tjera që i shërbenin informimit të kontigjentit kriminal.

Kamerat ishin instaluar në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit.

Kështu brenda pak ditësh, plani operacional “Fijet” çmontoi 59 kamera. Skuadra të posaçme hetimore vijojnë punën, me qëllim identifikimin e pronarëve të tyre dhe dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Kamerat u sekuestruan në lagjet  “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”.

Ato ishin vendosur me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.

Më herët, gjatë fazës së parë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, u çmontuan 21 kamera të instaluara nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës dhe nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit./Albeu.com/.

 


Shtuar 25.01.2023 14:52