Si po e shkatërron Instagrami fshatin austriak që frymëzoi “Frozen” (FOTO LAJM)

Hallstatt, fshati përrallor i liqeneve i zhytur nën malet Salzkammergut në Austri është aq tërheqës sa që kryetari i këtij fshati u është lutur tursitëve që të qëndrojnë larg tij.

Hallstatt është i pagëzuar si fshati që ka frymëzuar Arendelle, mbretërinë e motrave Elsa dhe Anna në filmin e animuar “Frozen”.

Të njëjtin shqetësimndajnë edhe banorët. “Instagrami po na shkatërron fshatin”, është kjo thirrja e tyre.

Fshati është pushtuar nga miliona turistë, pasi është vendi me më shumë postime në Instagram në të gjithë botën.

Edhe pse në fshatin alpin jetojnë vetëm 780 vetë, dhe është shpallur vend i trashëgimisë botërore nga UNESCO që prej vitit 1997, vitet e fundit është “pushtuar” nga turistët, në pjesën më të madhe të kohës 10 mijë vetë e vizitojnë çdo ditë.

Turistët bëjnë selfie, foto dasme dhe shpesh futen edhe në shtëpitë e banorëve vendas për të përdorur tualetet e tyre. Kryetari i bashkisë së vogël, Alexander Scheutz, iu është lutur që të qëndrojnë larg fshatit të shekullit XVI dhe madje ka mbyllur edhe rrugët për të mos i lejuar të futen brenda.

“Hallstatt është një pjesë e rëndësishme e kulturës historike, nuk është muze. Duam të pakësojmë me të paktën 1/3-tën numrin e turistëve, por nuk kemi se si t’i ndalim”, tha ai.

Fshati nisi të tërhiqte vizitorë që kur u shfaq në një emision për turizmin në Korenë e Jugut në vitin 2006. Në vitin 2011, një pasanik kinez shpenzoi gati 1 miliardë dollarë për të krijuar një qytezë identike pranë vendlindjes së tij. Dhe pas suksesit të filmit “Frozen” në vitin 2013 popullariteti i Hallstatt u rrit edhe më shumë.

Tani, aty shkojnë turistë 6 herë më shumë se në Venecia ndërsa çmimet e dhomave të hoteleve kanë arritur deri në 400 dollarë për një natë.


Shtuar 7.01.2020 07:58