U rrëmbyen e u zhdukën përgjithnjë, ngjarjet më të bujshme të pengmarrjes në Shqipëri (FOTO LAJM)

Rrëmbimet në Shqipëri duket se mund të ndodhin edhe në mes të ditës dhe askush të mos ndërhyjë dot.

Albeu.com ju sjell rastet më të bujshme, ato që tronditën gjithë opinionin shqiptar, ku për të cilët ende nuk është bërë ende një zbardhje e plotë.

I fundit është ai i Jan Prengës i cili u rrëmbye vetëm pak kohë më parë në Kamëz dhe u vra në mënyrë makabre.

Jan Prenga, 49 vjeç, babai i 5 fëmijëve u rrëmbye mesditën e 17 janarit. Familja Hajri, me makinën e vjedhur të një këngëtareje, shkoi në Kamëz dhe e mori zvarrë në qendër të qytetit, në rrugën “London”. Jan Prenga, u rrah dhe u torturua brenda luksit të shfrenuar të standartit të jetës që Altin Hajri kishte ndërtuar brenda kështjellës që u ngrit sa hap e mbyll sytë para hundës të shtetit.

Ai vdiq sepse nuk arriti dot që t’i rezistonte dhunës, ndërsa familja kërkon një varr që ta qajë. Ngarkesa e padorëzuar në destinacion nga i vëllai i mori jetën, ndërkohë që pavarësisht zbardhjes në kohë nga Policia të ngjarjes, trupi i Jan Prengës, ende nuk është gjetur.

Por Jani nuk është i vetmi.

Enver Stafuka u rrëmbye në 2015 dhe nuk u shfaq më kurrë.

Mbrëmjen e të dielës së 9 shkurtit të vitit 2015, kur akrepat shënuan 19:46 minuta e 15 sekonda, tri persona të veshur si policë e të maskuar, rrëmbyen në qendër të qytetit të Fushë-Krujës, personin që vodhi makinën “BMW” nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj, Enver Stafuka.

Teksa po pinte një kafe në lokal, Stafuka doli për të hipur në makinë, dhe në këtë moment, ai u mor forcërisht. 50 sekonda, kaq ishte koha që iu duhej rrëmbyesve për të hequr qafe njëherë e mirë… një nga emrat kyç të dosjes së zbardhjes së vrasjes së komisarit.

Stafuka doli për të shkuar në shtëpi, aty ku nuk u kthye më kurrë, vetëm 500 metra larg rrugës nacionale Kamëz-Fushë-Krujë. Policia e Durrësit, u kujdes që kërkimet dhe hetimet të mbaheshin top sekret, ndërsa edhe sot, pas 5 vitesh, askush nuk di më të thotë se kush e mori Stafukën dhe se çfarë u bë me të.

Babai i 4 fëmijëve u arrestua mbrëmjen e 27 majit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMW, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit, kryekomisari Dritan Lamaj. Por Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi si të pafajshëm Stafukën, më 13 nëntor të vitit 2013. Dritan Lamaj u ekzekutua pasditen e 24 shkurtit.

Për vrasjen, rreth 10 orë më pas, u arrestua në Selanik biznesmeni, Arben Frroku, i cili i është arratisur tashmë drejtësisë shqiptare, ndërsa familja e tij, vazhdon qetësisht bizneset.

Frroku, jo vetëm që e njihte Stafukën… por ditën kur u vra Dritan Lamaj, të dy komunikuan, dhe kjo u provua nga qelizat telefonike të verifikuara nga prokuroria. Familja akuzoi për vite me radhë Durim Bamin, por, njësoj si çelësi që hidhet në det, për të mos e gjetur më askush… ashtu u zhduk edhe e vërteta për Stafukën.

Rrëmbimi dhe vrasja e Gazmend Çollaku, u rrëmbye për vetëm 10 sekonda

Janarin e vitit 2016, më datë 6, disa ditë pasi secili nga personazhet e këtyre ngjarjeve, me gjasë ka trëngëllitur gotat e nisjes së një Viti të Ri, në qendër të Durrësit, u rrëmbye Gazmend Çollaku. I njohur si një nga personazhet më të rrezikshme të krimit në Durrës, u pengmor për vetëm 10 sekonda.

Çollaku, alias Laert, u mor peng në orën 18:37, nga 3 persona me uniformë ‘Policia’, njëri prej të cilëve kishte armë në dorë. Klientët e lokalit dhe kalimtarët, s’mundën të bënin asgjë, kur i treti u kthye për t’i sqaruar se asgjë nuk po ndodhte. Mëngjesin e një ditë më pas, Çollaku u gjet i vdekur, i lidhur, në afërsi të rrugës kryesore pranë Fushë-Krujës. Gjykata për Krime të Rënda e dënoi Denis Shtrazën me burgim të përjetshëm për marrjen peng dhe vrasjen e Gaz Çollakut, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Ervin Dalipaj, u vra një vit më pas.

Marjo Metushaj, skafisti vlonjat që trafikantët e drogës nuk i dhanë paratë që i premtuan

Më 16 qershor 2017, në Vlorë u zhduk Marjo Metushaj. Metushaj, i cili për autoritetet lokale, njihej si një skafist, dyshohet se nuk ishte paguar për 7 rrugë, me një vlerë totale prej 200 mijë euro. Ditën kur u zhduk, i ishte premtuar se do të merrte shumën e parave që i detyroheshin, përmes një dyqan lokal dhe një shumë parash. Ka shkuar për të marrë këtë gjë dhe nga ai moment nuk ka asnjë informacion për Marjo Metushajn.

Familjes i kishte thënë se do të takonte një shokun e tij, për punë në Seman. Prej 3 vitesh, familja qëndron me zemrën e ngrirë që një ditë dera të hapet, dhe babai i dy djemve të kthehet… kushedi thotë i ati, ndoshta gjërat do të jenë sërish si në kohët e vjetra.

Albano Xhaferri, u vra me çekiç me urdhër të Edison Harizajt

I sapokthyer nga Belgjika, Albano Xhaferri, humbi kontaktet me familjen që prej 18 qershorit. Babai i dy fëmijëve, jetonte me gruan dhe të vegjëlit në katin e dytë të një pallati në Vlorë. Në datën 2 gusht 2018, për zhdukjen e Albano Xhaferit është marrë deklarim Gazmend Merkaj, banues në Vlorë, që ka shpjeguar se ka dijeni për zhdukjen e shtetasit Albano Xhaferi. Ai ka rrëfyer se ka qenë me Ardit Kolën, Aleksandër Çaushajn dhe Ilir Shakajn, të cilët kanë vrarë Xhaferin për llogari të Edison Harizajt, i vrarë vjeshtën e vitit 2018, në autostradën Tiranë-Durrës. Shkaku i vrasjes dhe marrjen peng, sipas tij, ishte dijenia e Xhaferit për atentatin ndaj Ferdinand Llanajt, në tetor të 2017. Xhaferi sipas tij u vra me çekiç, në momentin që u mor në mjetin tip “Audi”. 20 ditë pas zhdukjes së Albano Xhaferit, në Vlorë nuk u pa më as Elvis Troqe…

‘Dua një eshtër… të mos e qaj rrugëve, veç një varr, shpresë s’kam’, ishte ky apeli i fundit, që Krenar Troqe, babai i Elvis Troqes, bëri përmes medias për zhdukjen e të birit, Elvisit. Troqe u zhduk pasditen e 17 korrikut 2018 ne qytetin e Vlorës, kur hipën në një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet. 24-vjeçari vëzhgohej fillimisht për vendndodhjen e tij, teksa ndodhej në ambientet e një bar-kafeje, rrëmbyesit sinjalizohen nga informatori dhe më pas aty mbërrin makina tjetër një automjet tip “Mercedes-Benz” ngjyrë gri. Elvis Troqe është ngritur nga ambientet e kafesë ku ishte i ulur me një shok të tij, pa marrë telefonin celular me vete. I sapokthyer nga Belgjika, askush nuk di më asgjë për Troqen…

Nga viti 2016 në Vlorë rezultojnë të zhdukur, disa prej të cilëve janë gjetur të mbytur në det, 16 persona.

Gushti i 2018-ës që mori pas edhe Gëzim Hysën dhe nipin, Agron Mollaj

Zhdukje misterioze konsiderohet ajo e Gëzim Hysajt dhe nipit të tij Agron Mollaj në Shkodër. Ata kanë dalë nga shtëpia që prej datë 23 gusht dhe nuk janë kthyer më. Njëra nga pistat e hetimit është vrasja e Sokol Hysenajt e ndodhur në vitin 1996, në të cilën dyshohet të jetë përfshirë Agron Mollaj (nipi).
Ndërkohë familjarë të të zhdukurit Agron Mollaj mohojnë në mënyrë kategorike përfshirje e këtij të fundit në një ngjarje të tillë. Sipas tyre kjo ngjarje nuk ka ndodhur dhe nuk kanë pas asnjë konflikt në të kaluarën./albeu.com/


Shtuar 12.02.2020 19:03