Si festohej 1 Maji në komunizëm, nga paradat te manifestimet në shesh para udhëheqjes

Dita e sotme shënopn edhe ditën e punëtorëve, ditë që zakonisht do të ishte një ditë pushimi.

Por Covid-19 i ka mbyllur shqiptarët nëpër shtëpi dhe duhet e pamundur dalja edhe në ditë si këto.

Por çfarë ndodhte në këtë datë, në vitet e diktaturës? 1 maji në atë kohë ishte kthyer në një ditë manifestimi ku ngrihej në piedestal partia, udhëheqja dhe jeta e lumtur në komunizëm, që nuk ishte gjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe.

Muze Shtepia me Gjethe na kujton sot me disa foto parakalimet e asaj kohe, shoqeruar me kete shenim:

Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, 1 Maji ose “Dita e klasës punëtore” konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Me rastin e saj organizoheshin aktivitete dhe manifestime në të gjithë vendin.

Një manifestim i madh zhvillohej në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit, ndërsa në tribunën kryesore të vendosur para godinës së Kuvendit Popullor dilte udhëheqja e PPSH për të përshëndetur klasën punëtore.

Paradat që organizoheshin në formën e kuadrateve (kuadratet e nxënësve të shkollave, kuadratet e studentëve, kuadratet e klasës punëtore nga ndërmarrje të ndryshme të vendit, kuadratet ushtarake), përshëndesnin udhëheqësit e lartë të Partisë.

Kjo festë shfrytëzohej për të treguar se Partia dhe udhëheqësi i saj ishin të pagabueshëm dhe po e udhëhiqnin vendin drejt lulëzimit ekonomik.

Pasditja shoqërohej me aktivitete festive nëpër shkolla, në kooperativa apo në ndërmarrje të ndryshme ku shpalleshin edhe punonjësit e dalluar të vitit.

Edhe një herë, me këtë rast, klika e kohës gjente rast të reklamonte arritjet dhe madhështinë e “Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën”.

Festa e 1 Majit, nga një festë me origjinë manifestimin dhe protestën për lehtësimin e kushteve të punës së punëtorëve, u kthye në një festë ku Partia-Shtet reklamonte “zhvillimin e madh që kishte vendi”.


Shtuar 1.05.2020 07:10