Shuhet toga turke në Siri, fregatat ruse futen në Stamboll (FOTO LAJM)

Turqia i ka shpallur objektiva armiqësor që mund të goditen kurdoherë të gjitha bazat dhe mjetet ushtarake të Presidentit Asad pas sulmit të mbrëmshëm, i cili la dhjetra ushtarë turq të vrarë në Idlib të Sirisë.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se nga sulmi mbetën të vrarë 33 ushtarë turq, ndërsa ka raportime se numri është shumë më i madh. Ndërkohë, nuk është ende e qartë nëse brigada turke që po lëvizte në Siri u sulmua nga aviacioni i Sirisë apo i Rusisë.

Sëfundmi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se ushtria turke nuk duhej të ishte në zonën ku ndodhi sulmi pasi atje mendohej se ishin grupet militante që luftojnë kundër Asadit, raporton albeu.com.

Në këtë mënyrë, Rusia ka pranuar në mënyrë indirekte se ishin avionët e saj që vranë dhjetra ushtarë turq mbrëmë.

Fill pas sulmit të mbrëmshëm, në Turqi u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të parë se si do të veprohet nga tani e tutje me Sirinë.

Ka raportime se Turqia do t’i shpallë luftë Sirisë duke nisur një operacion në shkallë të gjerë, gjë e cila ka nxitur reagimin rus.

Sëfundmi, Rusia ka kaluar në ngushticën e Bosforit dy fregata të pajisur me raketa të avancuara. Bëhet fjalë për fregatat Admiral Grigoriviç dhe Admiral Makarov.

Fregatat ruse janë nisur herët në mëngjes nga Deti i Zi dhe do të pozicionohen në Egje, përballë territorit sirian.

Kalimi i shpejt nga Deti i Zi për në Mesdhe ka të bëjë me përgatitjet e Rusisë për ndonjë tensionim të mëtejshëm të situatës nga e cila Turqia të mbyllë ngushticën e Bosforit dhe Dradanelet. /albeu.com


Shtuar 28.02.2020 14:03