Së paku 40 të vdekur nga kryengritja në një burg të Venezuelës

Autoritetet venezuelase njoftuan se së paku 40 persona kanë mbetur të vdekur dhe 50 të tjerë janë lënduar nga një kryengritje që shpërtheu në një burg në pjesën qendrore të vendit.

Trazirat në burgun “Llanos” filluan me një protestë të të burgosurve, të cilët kërkonin që të afërmit e tyre të kenë të drejtë të sjellin ushqim për ta në burg. Më pas, mes të burgosurve dhe rojave të burgut shpërtheu një përleshje e armatosur, bëri të ditur ligjvënësja Maria Beatriz Martinez.

Ajo tha se gjithashtu se shefi kombëtar i burgjeve është lënduar nga shpërthimi i një granate. Burgu ku ndodhi përleshja e përgjakshme ndodhet në qytetin Guanare, 450 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Karakas.

Ministrja venezuelase e shërbimeve korrektuese, Iris Varela, e konfirmoi kryengritjen, duke thënë për një gazetë lokale se një grup i të burgosurve fillimisht i sulmoi disa roje që ishin duke qëndruar jashtë burgut.

Ndryshe, Venezuela i ka rreth 350 burgje ku mund të mbahen 110,000 të burgosur. Sidoqoftë, zyrtarët për të drejtat e njeriut thonë se këto burgje janë të dhunshme dhe të mbingarkuara, ku kontrollin e kanë bandat që trafikojnë armë dhe drogë.


Shtuar 2.05.2020 20:27