”Një plan Marshall për Evropën”, BE gati të investojë miliarda për të shmangur katastrofën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka pranuar se Evropa ka nevojë për një Plan Marshall.

Ajo u ka bërë thirrje vendeve të BE të investojnë miliarda në buxhetin e bllokut për të shmangur pasojat katastrofike ekonomike nga kriza aktuale e koronavirusit.

Në një artikull për gazetën “Welt am Sonntag”, ajo sqaroi se me “Plan Marshall për Evropën” i referohet programit të rimëkëmbjes të vendosur nga SHBA në periudhën 1948-1952 për të ndihmuar ekonomitë e Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se buxheti i BE u pranua nga të gjitha shtetet anëtare si një mjet për të nivelizuar pabarazitë në një frymë solidariteti dhe se ai tani duhet të përshtatet për të përballuar krizën.

“Shumë miliarda që duhen investuar sot për të shmangur një katastrofë më të madhe, do t’i lidhin brezat së bashku”, shkroi ajo, duke e quajtur krizën një shans për të përtërirë ndjenjën e bashkësisë midis kombeve të Evropës.

Thirrja për një Plan Marshall në BE ka ardhur disa javë më parë edhe nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, sërihs të dielën ai përsëriti një thirrje të ngjashme në një editorial për një gazetë tjetër gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, por gjithashtu i kërkoi Evropës që të fillojë masa të menjëhershme ekonomike sikur të angazhohen në një luftë.

“Evropa duhet të krijojë një ekonomi të kohës së luftës dhe të vendosë masa për mbrojtjen, rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike”, shkroi Sanchez, duke thënë se kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur për të kompensuar borxhet që shumë vende ishin akumuluar gjatë pandemia koronavirus.

“Nëse virusi nuk njeh kufij, as mekanizmat e financimit nuk duhet t’i njohin”, shkroi Sanchez, duke thënë se “një veprim vendimtar, ambicioz mund ta shndërrojë krizën në një “shans për rindërtimin e një Bashkimi Evropian shumë më të fortë”.

BE-ja aktualisht është zënë në debat se si të merret me barrën e borxhit midis vendeve të saj anëtare. Ministrat e financave në Eurogroup kanë vendosur të diskutojnë për financat e bllokut gjatë krizës së koronavirusit të martën.


Shtuar 5.04.2020 12:32