Lajm i mirë për Rei Manajn, nesër zyrtarizohet rruga për ngjitjen në La Liga 2

Rei Manaj do të ketë mundësinë që të luftojë për ngjitjen në La Liga 2 edhe pse kampionati i Segunda B, kategoria e tretë ku gjendet me Barcelonën B, është cilësuar i mbyllur dhe nuk do të vazhdojë në këtë edicion.

Federata Spanjolle ka bërë gati planin se si do të funksionojë gara në vijim pas ndalimit të kampionatit, duke bërë të qartë se nuk do të ketë rënie nga kategoria, por do të ketë ngjitje më lart jo vetëm të vendeve të para në klasifikim.

Skuadra e Barcelonës B u rendit e dyta në grupin e saj dhe në teori duhej të mbetej jashtë garës për ngjitjen, me të parat e të katër grupeve të Segunda B që duhej të ngjiteshin lart në La Liga 2, që është objektivi i katalanasve dhe për të cilin afruan sulmuesin shqiptar në janar. Por Federata Spanjolle ka vendosur që të organizohen ndeshje play-off me një sfidë, për të përcaktuar se cilat janë 4 skuadrat që do të ngjiten dhe luajnë në La Liga 2 në sezonin e ardhshëm.

Mbetet të miratohet skema dhe të caktohen datat, por sipas mediave spanjolle, Barcelona B do të kthehet në fushë për të luajtur 3 sfida në play-off të cilat duhet t’i fitojë për të siguruar një vend mes profesionistëve një kategori më lart, ku sigurisht ka edhe shikueshmëri dhe konkurrencë më të madhe.


Shtuar 6.05.2020 20:42