A pritet një valë e dytë infektimi? Brataj: Shqipëria është e përgatitur

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka hedhur poshtë zërat se mund të ketë një valë të dytë të përhapjes së koronavirusit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Open” në Top Channel, Brataj tha se nuk beson se do të ketë një valë të dytë infektimesh. Sipas tij, rritja e temperaturave do të çojë në shkatërrimin e këtij virusi.

“Covid-19 është pjesë e familjes së koronavirusit si Sarsi apo edhe Mersi. Ato u zhdukën në verë. Duke marrë parasysh që rritja e temperaturave është shkatërruese për çdo virus, jo vetëm për Covid-19, besoj se nuk do të ketë një valë të dytë infektimesh”, tha ai.

Brataj tha se edhe në raste se mund të ketë një valë të dytë, Shqipëria do të jetë e përgatitur.

“Po jemi të përgatitur. Ne morëm ventilator. Në fillim kemi marrë 50. Por duke llogaritur që kemi pasur 40 persona në gjendje të intubuar, 31 që humbën jetën dhe 8 që janë aktualisht, do të thotë që ne nuk i kemi përdorur të gjitha burimet tona që kishim dhe pa ardhur ndihmat. Prandaj them se jemi të përgatitur”, shtoi ai.


Shtuar 6.05.2020 20:54