Del studimi aspak optimist: Shqipëria, e parafundit për sigurinë ndaj COVID-19

Analisti Afrim Krasniqi ka publikuar disa fotografi në një postim në rrjetin social Facebook ku tregon se një studim i bërë nga institucioni kërkimor “Deep Knowledge Gruop” me të dhënat për COVID-19, e rendit Shqipërinë të parafundit (tabela e parë me 476 pikë) dhe një prej vendeve rajonale me nivel alarmant të sigurisë (tabela e dytë).

Sipas Krasniqit, kjo është në fakt e vërteta që politika e mohon dhe përpiqet ta zbukurojë duke krijuar një imazh të gënjeshtërt.

“Në këtë rast, nuk është çështja vetëm tek renditja, por tek realiteti: kur prodhon iluzione dhe të dhëna fiktive nuk bën dot analizë, nuk bën dot transparencë dhe as nuk ka llogaridhënie e reflektim, – siç ka ndodhur vazhdimisht tek ne dhe siç po ndodh çdo ditë edhe sot. Kur lexon, kupton e pranon realitetin, pra Shqipërinë reale, atëherë ekziston mundësia të ketë analizë, reflektim dhe masa përmirësuese në të ardhmen, – gjë që zakonisht nuk ka ndodhur dhe nuk ka shenja të ndodh as tani”-shkruan ai.

Postimi i plotë

Më 1989 në kulmin e krizës ekonomike në Shqipëri statistikat zyrtare në publik ishin të atilla sa bindën edhe FAO të na akordojë një çmim ndërkombëtar si vendi që ushqehet më mirë dhe më shëndetshëm! Dhe pas 6 muajsh nga festa e çmimit mbushëm ambasadat për të ikur nga vendi i tollonave dhe radhës së qumështit! Prej atëherë gjithnjë jemi mësuar të dëgjojmë se çdo qeveri e kryeministër të na thotë, – ne jemi më të mirët, jemi histori suksesi, kemi lënë pas Gjermaninë (qeveria e djeshme) dhe Italinë e SHBA (qeveria e sotme). Pothuajse çdo ditë përballimi me atë shprehjen e famshme “jemi mirë me statistikat, por si tua bëjmë fakteve”!

Natyrisht, kur të njëjtët kalojnë në opozitë mendojnë krejt ndryshe! Kur u thua se janë gabim, të sulmojnë, të etiketojnë dhe akuzojnë përmes turmës së verbër militante dhe medias nën kontroll. Pastaj nxjerrin në punë ekipet e propagandës që mbushin rrjetet sociale me spote e video ku tregojnë sukseset historike dhe krijojnë imazhin e një Shqipërie virtuale që ka pak ose aspak lidhje me Shqipërinë reale.

Me siguri nëse do kishte renditje të vendeve virtuale, ne do të ishim lart, shumë lart, edhe para Merkel, Macron apo Kurz, të cilët nuk kanë kanal televiziv privat dhe nuk e matin punën e ministrave dhe vartësve të tyre me numrin e liken & share në facebook. Dhe për më tepër, pasi krijojmë Shqipërinë virtuale ndajmë dekorata, tituj, lavdërime për sukseset virtuale, duke krijuar mite e mite pafund, si në kohën e burgut të madh kur zyrtarisht ishim “vendi më i lumtur në botë”.

Kur përballen me botën “tjetër”, atë përtej Rinasit dhe bodrumeve të Pallatit të Kongreseve (ku rreth 100 të rinj të punësuar përbëjnë RENEA-n online), atë që nuk e kanë nën kontroll dhe nuk e blejnë dot, nuk e shantazhojnë dhe nuk i dërgojnë tatimorë dot, – median perëndimore, institucionet perëndimore, qeveritë perëndimore, studimet perëndimore, – atëherë “mbreti del lakuriq” dhe ne biem me këmbë në tokë!

Ja për shembull, sot një prej institucioneve kërkimore prestigjioze, DKG “Deep Knowledge Group” pasi ka analizuar të dhënat e COVID-19 bazuar në informacionet e WHO, Worldometers, CDC, Johns Hopkins University, etj, e rendit Shqipërinë të parafundit (tabela e parë me 476 pikë) dhe një prej vendeve rajonale me nivel alarmant të sigurisë (tabela e dytë). Jemi në vendin e 88-të, ndërkohë që fqinjë tanë, si Greqia janë 54 vende më mirë se ne, Mali i Zi 46 vende më mirë se ne, apo vende rajonale si Bosnja që është 16 vende më mirë se ne, Serbia 34 vende më mirë se ne, etj.

Në këtë rast, nuk është çështja vetëm tek renditja, por tek realiteti: kur prodhon iluzione dhe të dhëna fiktive nuk bën dot analizë, nuk bën dot transparencë dhe as nuk ka llogaridhënie e reflektim, – siç ka ndodhur vazhdimisht tek ne dhe siç po ndodh çdo ditë edhe sot. Kur lexon, kupton e pranon realitetin, pra Shqipërinë reale, atëherë ekziston mundësia të ketë analizë, reflektim dhe masa përmirësuese në të ardhmen, – gjë që zakonisht nuk ka ndodhur dhe nuk ka shenja të ndodh as tani. /albeu.com/


Shtuar 9.06.2020 09:39