Roma e Milani futen në garën për Muriqin

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi është bërë i shumëkërkuar nga skuadrat italiane. Dy gjigantët Roma e Milani i janë shtuar listës së klubeve që po kërkojnë shërbimet e shtatlartit të Fenerbahçes.

Siç raporton “siamolaroma”, Vedat Muriqi po kërkohet nga klubi i kryeqytetit të Italisë si zëvendësues për sulmuesin Edin Xheko. Sipas këtij raportimi, pos Romës lojtarin po e kërkon edhe Milani.

Ky medium raporton se klubi turk do të takohet me zyrtarë të Romës në ditët e ardhshme, pas disa kontakteve preliminare. Një marrëveshje pritet të arrihet nëse Roma ofron 18 milionë euro për shërbimet e lojtarit, ndërsa atij pritet t’i ofrojë kontratë pesëvjeçare.

Se 26-vjeçari po kërkohet nga disa klube kishte konfirmuar të enjten edhe klubi turk, Fenerbahçe, që po ashtu ka mohuar një marrëveshje finale me Lazion.

Muriqi iu bashkua Fenerit në korrik të vitit të shkuar nga Rizespori. Në 36 paraqitje realizoi 17 gola e pati shtatë asistime.


Shtuar 21.08.2020 17:51