Kanceri i merr jetën aktores së famshme të “The Avengers” dhe “Game of Thrones” (FOTO LAJM)

Dame Diana Rigg, e famshme për rolet tek “The Avengers” (seriali origjinal”) dhe “Game of Thrones”, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Është konfirmuar se aktorja legjendare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, 6 muaj pasi u diagnostikua me kancer.

Agjentja e saj, Simon Beresford tha: “Me shumë trishtim ju njoftoj se Dame Diana Rigg ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Ajo ishte në shtëpi me familjen e saj, të cilët kërkojnë privatësi në këtë kohë të vështirë. Diana ishte një ikonë e teatrit, filmit dhe televizonit, fituese e çmimemeve Bafta, Emmy, Tony dhe Evening Standard, për punën në skenë dhe ekran.

Ajo ishte një aktore shumë e dashur dhe e admiruar nga kolegët, një forcë e natyrës që e dashuronte punën që bënte dhe ata që e rrethonin. Do të na mungojë shumë”.

Dame Diana Rigg ishte një nga aktoret më të kompletuara britanike, që prej debutimit në vitin 1957. Ajo u bë e famshme në vitin 1960 si ylli i serialit ”The Avengers”, ku pati rolin e agjentes sekrete Emma Peel.

Roli e ktheu në një nga simbolet më seksi të ekranit britanik, emërtim të cilin ajo kurrë nuk e pëlqeu. Gjatë kohës që luante në këtë serial, Diana luftoi me produksionin dhe u bë një nga aktoret më të paguara në qarkullim, me 300 paund në javë. Në një intervistë vite më pas ajo zbuloi se ka qenë shumë e vështirë të luftoje në atë periudhë për barazi gjinore në industrinë e filmit dhe nuk gjeti mbështetje nga askush, as nga kolegët me të cilët ndante ekranin.


Shtuar 10.09.2020 20:52