Ermal Mamaqi rikthen Inis Gjonin në rol negativ, historia e serialit ku luajnë edhe politikanë

Ermal Mamaqi pas suksesit të dy filmave të tij “Dy gisht mjaltë” dhe “I love Tropoja” do të sjellë një serial të ri.

Në rrjetet sociale Ermali ka zbuluar katër nga yjet që do të jenë pjesë e serialit, Jonida Vokshi, Klea Huta, Megi Pojani dhe Irgen Çela.

Ndërkohë, në një intervistë në “Dola tek Ola”, ai zbuloi disa nga personazhet e tjera që do të jenë pjesë e serialit: Ana Lika, Kastriot Çaushi, Monika Lubonja, Erblin Bajko, Amos Zaharia dhe Inis Gjoni, e cila do të luajë një rol negativ.

Ermali edhe në këtë serial do të jetë pjesë edhe vetë dhe emri i tij do të jetë Daniel dhe shkurt Dani. Ai u shpreh se nuk përjashtohet mundësia që në film të jetë i ftuar edhe ndonjë politikan, pavarësisht krahut politik që i përket.

Traileri i serialit “H.O.T” (Humans of Tirana) është publikuar, ndërkohë që ky njëherësh është edhe seriali i parë nga Ermal Mamaqi me bashkëproducent Dritan Huqin dhe autorë Klaudia Brahimaj dhe Bjordi Mezini.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Ermali shkruante: “HOT Seriali, është një tjetër sukses që jam i sigurt që do ta marrim këtë vjeshtë. Ekipi i yjeve këtë radhë është ekstrem dhe shumë Hot.

Mbas ‘I Love Tropoja’, skenaristja ime e zemrës, Klaudia Brahimaj, bashkë me Bjordi Mezinin kanë shkruar një histori që të merr frymën.

Këtë herë bashkë me mikun tim Dritan Huqi do të prodhojmë këtë projekt që do t’ju mbajë çdo javë përballë televizionit. Në intervistën në “News 24” në “Dola tek Ola”, ai tha se seriali do të jetë një histori dashurie e lidhur me intriga dhe do t’i përkasë zhanerit dramë-komedi.

Ai u shpreh se seriali do të ketë plot 12 seri dhe do të jetë gati më 15 tetor. Ermali tha se për momentin po punojnë për fazën përgatitore dhe se së shpejti do të fillojnë xhirimet.

Ai zbuloi edhe kuptimin e titull të serialit H.O.T, që është shkurtim i “Humans of Tirana” (Humanët e Tiranës).

Ermali theksoi se sapo të shohim pjesën e parë të serialit, do të duam të dimë se si do të përfundojë seria e 12-të.


Shtuar 23.05.2021 17:00