“Threads” mbërrin edhe në BE

“Threads”, aplikacioni i ri i pronarit të platformës “Facebook”, “Meta”, ka mbërritur edhe në Bashkimin Evropian të enjten, disa muaj pasi u lëshua në tërë botën në korrik, njoftoi shefi ekzekutiv i “Meta”, Mark Zuckerberg. Platforma e re, e cila është pjesë e “Instagramit”, lejon njerëzit të regjistrohen duke përdorur llogaritë e tyre në Instagram.

Ky aplikacion u themelua me qëllim për t’i bërë rivalitet rrjetit social “X”, dikur i njohur si “Twitter”, pasi ky i fundit i zemëroi shumë përdorues dhe reklamues kur u ble nga Elon Musk vitin e kaluar.
“Sot po e hapim Threadsin në më shumë vende në Evropë. Mirë së vini të gjithë”, shkroi Zuckerberg në “Threads”.

“Threads” u lëshua në 100 vende në fillim të këtij viti, por jo edhe në BE. Zyrtarët e “Meta” cituan qartësinë rreth rregullatorit si arsye e vonesës së mbërritjes së rrjetit social në Evropë, thote REL.

“Meta” ka qenë vazhdimisht nën mikroskopin rregullator të BE-së, sidomos për shkak të shqetësimeve për mënyrën se si i përdor të dhënat e përdoruesve për t’i shërbyer reklamuesve. Më shumë se 100 milionë njerëz i ishin bashkuar Threadsit brenda një jave të lëshimit të tij në treg, pa përfshirë ata brenda BE-së.

“Meta” tha të mërkurën se njerëzit në BE mund të krijojnë tani profile në “Threads” të lidhura me llogaritë e tyre në “Instagram”, por mund edhe ta përdorin aplikacionin pa profil për të kërkuar, shpërndarë dhe madje për të raportuar përmbajtje, pasi kompania pranoi t’u përmbahet rregullave të BE-së.

Ata, megjithatë, nuk mund të postojnë apo të ndërveprojnë me përmbajtjen në “Threads”, pa qenë të kyçur me llogarinë e tyre të “Instagramit”.
Kujtojmë se “Instagrami” i ka dy miliardë përdorues në gjithë botën./albeu.com


Shtuar 16.12.2023 10:49