Vendimi i Gjykatës, reagojnë avokatët e Benzema dhe Valbuena

Karim Benzema është shpallur fajtor pas akuzave për shantazh ndaj Mathieu Valbuena. Sulmuesi i real Madrid u dënua me 1 vit burg me kusht dhe 75 mijë euro gjobë, vendim që ka kënaqur përfaqësuesit e ish-lojtarit të Marseille.

Nga ana tjetër avokatët e Benzema kanë theksuar se beteja ligjore do të vazhdojë dhe do kërkojnë pafajësinë në Apel. “U tha qartë nga vetë gjykata se Karim Benzema nuk ishte në dijeni të manovrave. Në fund na thanë se ai nuk mund ta dinte. Është një dënim i rëndë, i padrejtë dhe pa prova. Jemi me të vërtetë shumë të habitur nga ky vendim.

Ankimi është i nevojshëm dhe ne do të apelojmë, pasi Karim Benzema nuk ka asgjë për t’u turpëruar në këtë çështje dhe do të marrë pafajësinë në Gjykatën e Apelit”, tha mes të tjerash avokati Maitre Sylvain Cormier.

Në lidhje me çështjen foli edhe avokati tjetër i Benzema, Antoine Vey: “Është e qartë se është një vendim i keq, pasi nuk përputhet me realitetin e fakteve. Ju e dëgjuat vetë gjykatësin të thoshte se Benzema absolutisht nuk ishte i informuar.

Pa ditur asgjë, si ka mund të ketë qenë bashkëpunëtor? Kemi të bëjmë me shtrembërimin e përgjimeve, pasi janë mbajtur vetëm gjërat negative. Ankesa është krejtësisht e padiskutueshme. Karim do shpjegojë gjithçka, do të zbardhë të vërtetën”.


Shtuar 24.11.2021 14:08