Tensione dhe tre kartonë të kuq, Milani merr 3 pikshin në ndeshjen dramatike ndaj Lazios

Milan ka fituar me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Lazios në kuadër të javës së 27-të në elitën e futbollit italian.

Pjesa e parë ishte e qetë teksa vendasit patën dy gjysmë raste me Mateo Vecinon dhe Taty Castellanos, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.

Mysafirët në anën tjetër rastin e parë konkret e patën me Christian Pulisic (46’) por gjuajtja e tij u prit në mënyrë fantastike nga Ivan Provedel.

Me të filluar pjesa e dytë, vendasit mbetën me një lojtar më pak në fushë kur Luca Pellegrini (57’) mori kartonin e dytë të verdhë duke u përjashtuar nga loja.

Milani e shfrytëzoi më së miri avantazhin numerik në fushë, duke krijuar disa raste të mira shënimi.

Në minutën e 76-të Milan shënoi golin e epërsisë me Rafael Leaon, gol ky i cili më pas u anulua për pozitë jashtë loje.

Goli i vetëm në këtë ndeshje dhe ai i fitores për Milanin erdhi në minutën e 88-të përmes Noah Okafor i cili realizoi për 1-0.

Në fund të ndeshjes situata u tensionua dhe gjyqtari i ndeshjes përjashtoi edhe dy lojtarë të Lazios me karton të kuq, Adam Marusic dhe Matteo Guendouzi.

Me këtë fitore Milani shkon në kuotën e 56 pikëve dhe renditet në pozitën e tretë në tabelë me 13 pikë më pak se lideri Inter, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/


Shtuar 1.03.2024 23:11