Egnatia u mund 2-1 nga Dinamo në përballjen e javës së tetë të Superiores. Pas ndeshjes së zhvilluar në “Elbasan Arena”, trajneri i skuadrës rrogozhinase, Nevil Dede, foli për mediat dhe komentoi arsyet e humbjes.
“Kur nuk arrin rezultatin për të cilin punon dhe shpreson, është e natyrshme të mërzitesh. Lojtarët dhanë maksimumin. Më shqetëson mungesa e përqendrimit, që po na përsëritet në çdo ndeshje. Gjithçka po shkonte sipas planit, deri kur pësuam dy gola në qendër”, u shpreh Dede.
Të lidhura
None found
Ai vlerësoi edhe kundërshtarin, duke theksuar se Dinamo shfrytëzoi më mirë rastet, ndërsa Egnatia u tregua jo mjaftueshëm pragmatiste. “Duhet t’i japim meritat Dinamos. Ne humbasim përqendrimin në momente të caktuara, pastaj bëhemi konfuzë. Nuk arritëm t’i furnizonim as Montenegron, as Adjessan. Dinamo krijoi shumë dendësi dhe ne duhej të luanim më vertikalisht, duke e nxjerrë Jagon. Nuk përdorëm pasime diagonale të shkurtra apo të mesme, gjë që i dha komoditet kundërshtarit. Ata morën maksimumin, ndërsa ne jo. Ky ishte ndryshimi në fushë”, tha trajneri.
I pyetur për ndikimin e formës së Dinamos në shpërqendrimin e ekipit dhe për hapësirat e lëna në krah, Dede u përgjigj: “Mund të pranosh çdo gjë, por kishim tre lojtarë të fortë në krahun e djathtë. Nuk ishte logjike që të na çanin në atë mënyrë. Ju patë disa momente kur Duka, me shumë dëshirë, dukej sikur do të dilte si mbrojtës. E përgëzoj, është djalë i ri.”
Dede pranoi se krahut të majtë mund t’i kishte ardhur koha për një zëvendësim më të hershëm, por shpjegoi se kishte kryer tashmë katër ndërrime dhe nuk deshi të merrte më shumë rrezik. “Sa i përket dendësisë, mënyra si shënuam golin e parë dhe mënyra si erdhi i dyti, që nuk ishte i vlefshëm, treguan se me numra ishim në rregull, por jo me hapësirat. Gjithsesi, djemtë dhanë maksimumin dhe kjo është e dukshme.”
“Kundër një ekipi si Dinamo, nëse humbet përqendrimin, e humbet ndeshjen. Ndonjëherë mendojmë se e kemi arritur objektivin. Kjo nuk është fundi i botës, sepse kampionati është i gjatë. Nuk po e them për të justifikuar ekipin për ndeshjen e sotme, por diferencat janë shumë të vogla”, përfundoi Dede.





