Pas tetë javëve të para të kampionatit, Manchester Unitedi ka vetëm një fitore, katër barazime dhe tri humbje. Me shtatë pikë, skuadra ndodhet në vendin e 16-të, 14 pikë larg ekipit që kryeson renditjen.
Sipas BBC-së, disfata e fundit, ndaj Bournemouthit, e ka shtuar pasigurinë për të ardhmen e Carrickut. Ndërkohë, drejtuesit e klubit janë të shqetësuar për ecurinë e sezonit.
Të lidhura
None found
Rënia aktuale vjen pas një fillimi të mirë të mandatit të Carrickut. Ai mori drejtimin e Manchester Unitedit në janar, pas largimit të Ruben Amorimit, fillimisht si trajner i përkohshëm. Rezultatet pozitive dhe vendi i tretë në Ligën Premier, që i siguroi skuadrës kualifikimin në Ligën e Kampionëve, bënë që klubi t’i ofronte kontratë të përhershme në maj.
Sezoni i ri, megjithatë, ka nisur në mënyrë krejt tjetër. Unitedi nuk ka fituar në kampionat që prej 30 gushtit, kur mposhti Ipswichin 5-2. Që atëherë, rezultatet e dobëta e kanë futur skuadrën në një krizë që mund t’i kushtojë Carrickut vendin e punës.
Me shtatë pikë nga tetë ndeshjet e para, Unitedi ka pasur nisjen më të dobët të kampionatit në këtë fazë që nga sezoni 1986/87, kur kishte mbledhur vetëm katër pikë.
Humbja 3-0 ndaj Bournemouthit në ‘Old Trafford’ ishte disfata më e thellë në shtëpi në Ligën Premier që nga dhjetori i vitit 2024. Edhe atëherë, Bournemouthi fitoi me të njëjtin rezultat në stadiumin e Unitedit.
Bournemouthi e ka mposhtur kështu për herë të tretë Manchester Unitedin në udhëtim me diferencë prej të paktën tri golash. Që nga themelimi i Ligës Premier në sezonin 1992/93, vetëm Liverpooli ka arritur më shumë fitore të tilla në ‘Old Trafford’, me gjithsej katër.
Problemet nuk kufizohen vetëm te kampionati: në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Manchester Unitedi nuk ka shënuar asnjë fitore, duke marrë tri barazime dhe pesë humbje. Herën e fundit që klubi kaloi në një seri po kaq negative ishte në nëntor dhe dhjetor të vitit 2015.
Në periudhën e fundit, skuadra ka pësuar dy herë nga dy humbje radhazi. Kjo bie në sy veçanërisht po të krahasohet me sezonin e kaluar 2025/26, kur Unitedi nuk regjistroi asnjëherë dy disfata të njëpasnjëshme në kampionat.
Bilanci në ‘Old Trafford’ është po ashtu shqetësues. Që nga fillimi i sezonit 2023/24, asnjë klub i Ligës Premier nuk ka pësuar më shumë humbje në shtëpi me të paktën tri gola diferencë në të gjitha garat sesa Manchester Unitedi, i cili ka shtatë të tilla.
Të dhënat tregojnë se vështirësitë e klubit janë më të thella se një rënie e përkohshme e rezultateve dhe shtrihen në një periudhë më të gjatë. Tani mbetet të shihet nëse drejtuesit do ta mbajnë Carrickun në detyrë apo do të zgjedhin sërish të ndryshojnë trajnerin.





