Arbër Hoxha është një nga lojtarët e ftuar në Kombëtaren shqiptare nga trajneri Sylvinho, në listën paraprake të Euro 2024.
Një lojtar mjaft cilësor dhe teknik, i cili karakterizohet me driblimet e tij që shpeshherë e dërgojnë deri te goli.
Diçka të tillë e ka vërtetuar edhe këtë sezon në kampionatin kroat, ku gjysmën e e sezonit ishte pjesë e Slaven Belupo, ndërsa më pas u bashkua me Dinamon e Zagrebit.
Në 42 ndeshje të sezonit që sapo lamë pas, Arbër Hoxha ka shënuar 7 gola dhe ka asistuar në 4 të tjerë. 5 gola i ka shënuar në kampionat, 1 në Kupë dhe 1 në Conference League.
Gjithashtu, Arbër Hoxha është “SUPERKAMPION” i Kroacisë, duke fituar edhe titullin kampion edhe Kupën me Dinamon e Zagrebit.
Statistika mjaft pozitive, të cilat i ranë në sy edhe Sylvinhos, me brazilianin që për herë të parë e grumbulloi në miqësoret e marsit përballë Kilit dhe Suedisë.
Teksa për Europianin, Sylvinho mori vendimin për të bërë pjesë edhe Arbër Hoxhën, duke “blinduar” krahun e majtë të sulmit, por duke i shtuar vetes edhe disa halle.
Sigurisht që janë halle luksi, pasi tashmë përveç Seferit, një alternativë e një niveli të lartë që mund të fitojë edhe vendin e titullarit është pikërisht Arbër Hoxha.
25-vjeçari është gati të përfitojë nga kjo ftesë dhe ky kompeticion madhor, duke kontribuar për Kombëtaren dhe për të treguar vlerat e tij të vërteta.