Spanja në alarm, tjetër rast me pozitiv me Covid-19

Tjetër i infektuar me Koronavirus në përfaqësuesen e Spanjës kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e Kampionatit Europian. Federata Spanjolle e Futbollit, nëpërmjet një komunikate për mediet, ka njoftuar se Diego Llorente, mbrojtësi 27-vjeçar që luan për Leeds United në Premier League, ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në kontrollin rutinë të kryer të martën.

Në njoftim shkruhet se “futbollisti do të largohet sonte nga grumbullimi i ekipit kombëtar, duke ndjekur të gjitha protokollet e përcaktuara shëndetësore.”

Diego Llorente është futbollisti i dytë i “Lo Rojas” që rezulton pozitiv me COVID-19, pas Sergio Busquets, duke i hapur probleme trajnerit Luis Enrique, i cili, për t’i paraprirë çdo të papriture thirri për të qenë në gatishmëri pesë futbollistë si:  Brais Méndez, Rodrigo Moreno, Fornals, Carlos Soler,Kepa dhe Albiol.

Nëse tamponët e radhës, brenda kohës së inkubimit nga rasti i parë, tregojnë qoftë dhe një pjesëtar tjetër me Koronavirus, atëherë do të kishim të bënim me një shpërthim të pakontrolluar së virusit.

Spanja do të debutojë në Europian më 14 qershor, në sfidën ndaj Suedisë, që do të zhvillohet në “Estadio de La Cartuja” të Sevillas. Nëse në ditët në vazhdim do të zbulohen të tjetër futbollistë me Coronavirus, turneu madhor i futbollit do të kompromentohej seriozisht për Spanjën.


Shtuar 9.06.2021 09:09