Silvinho: Duam të jemi në Gjermani 2024

Pushimeve të Silvinhos po iu vjen fundi, ndërsa trajneri i kombëtares së Shqipërisë duket se po mendon që tani për sfidat e shtatorit në eliminatoret e Euro 2024 ku “kuqezinjtë” do luajnë kundër Çekisë dhe Polonisë.

Për këto dy sfida, aventurën e tij shqiptare, por edhe objektivat e së ardhmes, trajneri brazilian ka folur në një intervistë të gjatë për “Radio Marca” në Spanjë.

“Ne e nisim planifikimin me stafin dhe kombëtarja është çështje e komplikuar. Në qershor ishte e vështirë për ngarkesat e punës, pushimet. Tani nga pak është pak më ndryshe, vjen nga faza përgatitore me pak ndeshje dhe duhet të gjejmë lojtarët më të përgatitur për dy ndeshjet që kemi më 7 dhe 10 shtator”,- u shpreh tekniku brazilian.

Sylvinho tregon për radion spanjolle edhe forcën e skuadrës kuqezi, por nuk harron të nënvizojë edhe faktin se ende nuk e ka grupin e plotë për shkak të dëmtimeve.

“Lojtarët janë të rinj, por të rëndësishëm, ka një përzierje të mirë. Është mëkat për Kumbullën e Romës që u dëmtua, edhe Broja gjithashtu, kemi 2-3 lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar. Por ka lojtarë shumë të mirë e të përkushtuar. Jam mahnitur me qasjen e tyre, të lojtarëve, se po japin gjithçka. Kjo më lumturon shumë”,- tha më tej Sylvinho.

Tekniku kuqezi nuk e fsheh objektivin e parë madhor që beson se do ta arrijë në pankinën e kombëtares shqiptare.

“Presioni nuk është, por është ëndrra e vendit. Megjithatë është një grup i fortë, i vështirë dhe shumë i ekuilibruar. Gjërat po shkojnë kështu, të gjithë po luftojnë, edhe ne jemi në garë. Është e vështirë, një grup i komplikuar, por më pëlqen. Më pëlqen që të bëjmë punën mirë, detajet, shumë punë. Është një ëndërr, duam të jemi në Gjermani 2024”,- u shpreh lideri i pankinës së Kombëtares.

Nga objektivat realë te ëndrrat e mëdha, si për shembull një ndeshje kundër Brazilit me trajner Anccelotin.

“A e imagjinoj një Brazil-Shqipëri me Anccelotin në pankinën e Brazilit dhe Sylvinhon në atë shqiptare? Si jo, sigurisht që po. Ancceloti te Brazili ndërsa drejton Realin? Një temë e komplikuar, mungojnë shumë gjëra. Ancceloti është ndër më të mirët, të mos themi më i miri, është një nga më të mëdhenjtë, i jashtëzakonshëm, ai po bën gjëra të mëdha”,- u shpreh në fund të intervistës tekniku Sylvinho.

Me Silvinjon në pankinë, kombëtarja e Shqipërisë renditet në vendin e dytë të Grupit E eliminator të Euro 2024 me dy fitore dhe një humbje.

Por vendimtare mund të jenë dy sfidat e shtatorit, ku kuqezinjtë do të luajnë kundër Çekisë në transfertë më 7 shtator dhe tre ditë më pas do të presin Poloninë në “Air Albania”.


Shtuar 9.08.2023 21:52