Shkëmbi: Do tërhiqem vetëm kur skuadra të mos më ndjekë, në futboll fjalët janë të tepërta

Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi ka dalë në konferencë për shtyp teksa ka folur për ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit, ndërsa ka theksuar se ai nuk e ka menduar tërheqjen për shkak të rezultateve të dobta, teksa shtoi se ky vendim do të vinte vetëm në momentin kur skuadra të mos e ndiqte.

“Vazhdojmë me situatën e keqe, ne me skuadrën flasim, por në futboll fjalët janë të tepërta dhe duhet të reagosh në fushë. Të japësh në maksimumin për atë që përgatitet gjatë javës, duhet të ndryshojmë dhe të marrim rezultat. Ne jemi një klub model, stafi dhe futbollistët i kanë të gjitha. Problemi jemi ne të fushës, stafi dhe futbollistët. Futbolli ka momentet e veta delikate, ka të bëjë edhe ana psikologjike.

Janë mbledhur bashkë mungesat dhe gabimet individuale, por në fund asnjë nga këto nuk është justifikim se ne stërvitemi dhe jemi këtu për ta ndryshuar këtë situatë. Ne dëshirojmë tre pikët, duhet të jemi shumë të përqendruar se në ndeshje të veçanta kemi pësuar dhe nuk kemi ditur të reagojmë. Duhet të jemi 100% nga çdo anë. Nuk e kam, menduar ndonjëherë tërheqjen, kanë rënë shumë pikëpyetje në atë se çfarë kam bërë unë dhe stafi.

Do të tërhiqem kur presidenti dhe skuadra të mos më ndjekë dhe të mos jetë e imja në dhomat e zhveshjes. Jam i bindur që me një fitore do të rikthehemi ajo Dinamo e fillimit dhe më e rëndësishmja është që kemi grupin e plotë. Kampionati është i ngjeshur dhe objektivin do ta shohim pas këtyre tre ndeshjeve. Do të bëjmë merkato, por tre ndeshjet e radhës janë deçizive.

E di sa e thjeshtë është të flasësh nga studio, të bësh analiza. Mendoj se kemi bërë një merkato të mirë, kemi grup cilësor, por nga disa lojtarë prisnim më shumë dhe te të rinjtë duhet të jemi më të duruar. Ky grup ka cilësi dhe me ndonjë afrim tjetër mund të arrijmë objektivin për të cilin jemi nisur.

Edhe ne si staf mund të kemi bërë diçka gabim dhe nuk e kam të sikletshme ta them, por momenti kyç kanë qenë dëmtimet, erdhi humbja me Tiranën dhe më pas kaluam në një ngërç psikologjik. Tashmë që lojtarët po kthehen përveç Isaevskit, edhe lojtarët i shoh me entuziazëm e me besim.

Në stërvitje kam parë gjëra pozitive, ka entuziazëm për të marrë fitoren dhe për t’u rikthyer. Në futboll i rëndësishëm është edhe fati, ne kemi bërë edhe gabime individuale dhe në situatat tonë me një gol të pësuar në këtë mënyrë ka qenë e vështirë për të reaguar.

E di çfarë do të thotë një ekip i ndërtuar nga zero. Jemi një klub model me presidentin që ka bërë investime të mëdha. Kam shumë besim se do të shkojmë në Europë, në kampionat me 2-3 ndeshje pozitive do të bëjë që të flitet ndryshe. Në Kupë jemi akoma dhe kemi eliminuar një nga ekipet më të forta si Tirana, ndaj jemi për Europën dhe mendoj se do ia arrijmë”, u shpreh Shkëmbi.


Shtuar 12.12.2021 13:00