Shehi: Ishte një ditë “jo” për ne, duhet të ndryshojmë

Orges Shehi e quan një ditë jo, atë të bardhebluve në Laç, megjithatë pranon se sfida mund të kishte përfunduar edhe barazim, duke qenë se kurbinasit nuk dominuan.

Tekniku bardheblu paralajmëroi ndryshime, qoftë në vendosje, por edhe në emrat e futbollistëve.

“Ishte një nga ndeshjet më të dobëta tonat në këtë sezon dhe megjithatë po shkonim drejt barazimit, por një episod vendosi fatin e takimit. Do të isha i kënaqur me një pikë, duke parë si erdhi ndeshja, pasi sot ishte një ditë jo për të gjithë skuadrën. Laçi nuk është më i fortë se ne, por u treguam të paqartë në manovër dhe konfuzë në mënyrën e ndërtimit të lojës. Ishte një ditë e keqe për ne.

Ne kemi Totren dhe Limajn me tipare sulmuese, por hedhim në fushë edhe Tolin, që ka agresivitet dhe na duhen edhe cilësitë e tij. Duhet të ndryshojmë dhe do të ndryshojmë, por koha është e paktë, pasi në fundjavë luajmë ndaj Teutës. Duhet të ndryshojmë ndoshta edhe vendosje, por edhe mentalitet, pasi duhet të luajmë shpejt dhe të mos mbajmë topin në mënyrë të tepruar”, u shpreh Shehi.


Shtuar 14.12.2021 17:15