Nga plazhi te triumfi në Europian, historia e pabesueshme e Danimarkës në vitin 1992 (FOTO+VIDEO)

Historia që po ju tregojmë fillon në vitin 1991, kur kualifikueset për Kampionatin Europian të Futbollit, “Suedia 1992” ishin në ritëm të plotë. Në grupin 4 ishte një kombëtare me lojtarë të fortë dhe të talentuar: Boban, Savicevic, Boksic dhe Suker. Po flasim për ish-Jugosllavinë. Sidoqoftë, historia dhe fati deshi më shumë dikë tjetër.

Asokohe shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi. UEFA nuk mund t’i lejonte serbët të merrnin pjesë si kombëtare në atë Europian, kështu që i takoi Danimarkës (e dyta në grup) që të thirrej në fazën finale. Danezët e panë veten si Davidi kundër Goliath. Ditët e Europianit kalojnë, ndeshjet vendimtare vijnë, ndërsa Danimarka vazhdon udhëtimin befasues, falë një “saraçineske” si Peter Schmeichel.

Është 26 qershori 1992. Danimarka e gjen veten duke luajtur finalen kundër Gjermanisë. Jensen kalon nordikët në avantazh qysh në minutën e 18-të. Gjermanët mundohen shumë, por nuk mund të bënin asgjë kundër murit Schmeichel. Saktësisht, 12 minuta deri në përfundimin e finales, “Zoti i Futbollit” zbriti në fushë. Topin e merr Vilfort, driblon, godet fort, shtyllë dhe rrjetë, shkruan telesport.

Duket si film, por është realitet. Kim Vilfort është personazhi kryesor. Ai që alternoi magjinë e konkurrencës me trishtimin e jetës së tij private, teksa i dhimbte zemra nga dhimbja e vajzës së sëmurë me leucemi dhe pas çdo ndeshjeje, shkonte në shtëpi për t’u kujdesur për të. Kim shënoi për 2-0 dhe ia dorëzoi trofeun Danimarkës.

Skuadra që kishte nisur pushimet e verës, e cila u mblodh me urgjencë për të zëvendësuar ish-Jugosllavinë në “Euro 1992”, fitoi trofeun e lakmuar. Duket si përrallë, por ky është futbolli. Ky është futbolli, kjo është historia më e bukur, që vlen të kujtohet para startit të Europianit të kësaj vere.

 

Shtuar 4.06.2021 14:35