Meriton Korenica, futbollisti i Kombëtares së Kosovës, është pranë finalizimit të kalimit nga CFC Cluj te FCSB, në përfundim të afatit kalimtar në Rumani.
Të lidhura
None found
Mundësia që Korenica të ndërronte klub gjatë ditëve të fundit të merkatos rumune ishte diskutuar gjerësisht, ndërsa tashmë kanë mbërritur edhe konfirmimet.
Mediumi rumun Gsp.ro raporton se FCSB ka përfunduar tri përforcime, mes të cilave edhe atë të Meriton Korenicës. Zyrtarizimi i reprezentuesit kosovar pritet të bëhet më së largu nesër, të premten.
Sipas të njëjtit burim, FCSB i ka paguar CFR Clujit 600,000 euro për kartonin e tij. Korenica do të firmosë kontratë dyvjeçare dhe do të përfitojë pagë mujore prej 30,000 eurosh.
Presidenti i FCSB-së, Gigi Becali, e ka konfirmuar marrëveshjen për Digisport Special: “Ne nënshkruam me Korenicën, nuk bëmë asnjë ankand për të. Bëmë një ofertë prej 600,000 eurosh dhe kaq!”
Korenica e kishte nisur sezonin e tretë me CFR Clujin, skuadër me të cilën regjistroi statistika të spikatura, duke realizuar 27 gola dhe duke dhënë 16 asistime në mbi 100 paraqitje.
Përpara transferimit te Cluj, ai ishte aktivizuar gjatë karrierës edhe për Rahovecin, Shkëndijën, Lirinë, Prishtinën, Ballkanin dhe klubin turk Manisan.
